TRAJNERI VLERËSON EDONIN!
Trajneri i Lille-it vlerëson transformimin pozitiv të Zhegrovës
21 December, 2023 @8:10
Njëri ndër talentët më të mëdhenjë futbollistik të Kosovës, Edon Zhegrova, që sot është 24 vjeçar dhe luan te ekipi i madh francez, Lille, është vlerësuar nga trajneri i ekipit të tij, Paulo Fonseca.
Trajneri portugez ka thënë se Edoni është përmirësuar jashtëzakonisht dhe është duke bërë dallimin në secilën ndeshje. Zhegrova u bë lojtari më i mirë i ndeshjes, në derbi ku ekipi i tij Lille barazoi ndaj Paris St Germainit. Përkundër që s’shënoi e s’asistoi, Zhegrova me lojën e tij ka mahnitur publikun si dhe rrjetet sociale zyrtare të ligës franceze janë përplot postime me driblimet e tij.
“Dukshëm është përmirësuar, ka ndryshuar në shumë aspekte. Kur kam ardhur në Lille ka qenë lojtar individual me lojë individuale. Tash, ai luan për ekipin dhe mendon për ekipin kur e ka topin. Kupton gjithashtu momentin e ndeshjes, kur duhet bërë driblimi dhe kur duhet pasuar, ose hapur lojën, ka ndryshim të madh te ai,” ka thënë ndër të tjera Fonseca 50 vjeçar, që në karrierë të tij pos ekipeve portugeze ka drejtuar edhe Shakhtar Donetskun dhe Romën.