KUPA E KOSOVËS
Tre çmime për biletat e finales
24 May, 2016 @19:59
Janë përcaktuar çmimet për ndeshjen e finales së Kupës së Kosovës, që do të luhet më 28 maj në stadiumin e qytetit në Prishtinë ndërmjet Prishtinës dhe Dritës.
Skuadra nga kryeqyteti, sot me anë të një njoftimi në faqen zyrtare ka bërë të ditur çmimet e biletave që do të shiten për këtë ndeshje.
Ata që do të jenë të interesuar ta shohin finalen e Kupës, do të kenë mundësi t’i blejnë biletat në tre çmime të ndryshme, varësisht nga tribuna.
Çmimi më i shtrenjtë do të jetë në tribunën perëndimore (3 euro), ndërsa biletat në tribunën lindore dhe asaj jugore do të kushtojnë nga 2 euro, përkatësisht 1 euro.
Tifozët e Prishtinës, Plisat, do të jenë të vendosur në tribunën lindore, derisa “Intelektualët” e Dritës do të jenë në tribunën jugore.
Ndryshe nga herët e kaluara, Kupa e Kosovës kësaj radhe ka rëndësi shumë më të madhe, për shkak se fituesi i kësaj kupe njëkohësisht do ta fitojë edhe të drejtën për ta përfaqësuar vendin në Europa League stinorin e ardhshëm.