NË DISCIPLINORE
Vushtrria, Drita e Gjilani - në disciplinore
24 May, 2016 @14:35
Komesari i Garave (KG) i Superligës së Kosovës pas shqyrtimit të raporteve të ndeshjeve të xhiros së fundit (33) të kampionatit ka inicuar procedurë disciplinore për ekipin e Vushtrrisë, Gjilanit dhe Dritës.
Vushtrria është futur në disciplinore për shkak të moskryerjes së obligimeve financiare ndaj personave zyrtar të ndeshjes më 22 maj 2016.
Gjilani është futur në disciplinore për shkak të fyerjeve dhe sharjeve në kor të personave zyrtar të ndeshjes nga ana e tifozëve si dhe hudhjes së flakadanëve, mjeteve tjera piroteknike dhe sendeve të forta në fushë. Gjithashtu, shikuesit janë futur në fushë për disa minuta për të festuar golin, që ka çuar në ndërprerje të ndeshjes për ato minuta, derisa ka pasur edhe arrestime nga policia e Kosovës.
Drita është futur në disciplinore për shkak të hedhjes së flakadanëve nga tifozët e saj që ka çuar në eskalim të situatës, ndërsa ka pasur edhe arrestime nga policia e Kosovës.
Ekipet në fjalë kanë të drejtë të ankohen brenda 3 ditëve, duke filluar nga sot ka bërë të ditur KG përmes njoftimit të lëshuar në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Vushtrria ka rënë nga Superliga, Gjilani ka përfunduar në pozitën e pestë, ndërsa Drita duhet të luaj në barazh për të siguruar mbijetesën.