DITARI RUS (6)
Treni rus dhe dështakët e garave të mëdha
Shkruan: LUAN MORINA
19 June, 2018 @22:12
Tre duelet e ditës së gjashtë të Botërorit, në përmbledhjen ditore.
DORA E CARLOSIT
VAR-i vazhdon të mahnit! Ani pse gjyqtari e pa mbrojtjen e Carlos Sanchezit me dorë, VAR-i do e përmirësonte edhe gabimin. Tashti, gjyqtari nuk është i vetëm, por ka edhe pesë tjerë për ta mbikëqyrë.
Mungesa e disiplinës i kushtoi kolumbianëve. Disiplina i solli fitoren japonezëve të cilët nuk ndaluan së sulmuari deri në marrjen e tri pikëve.
Një ekip goxha mirë i ndërtuar, harmonik, të cilët në një rast nuk ia dolën të parashihnin mençurinë e Quinteros.
Qasja e kolumbianëve, ndonëse e detyruar, ka mundur të ishte më ofensive. Luajtën më shumë në të sigurt, një pikë më mirë se hiq, e ndonëse mbetën edhe pa atë pikë, humbja minimale është më e mirë se humbja më e thellë.
DËSHTAKËT
Nga humbja e thellë shpëtuan edhe polakët, ndonëse me 11 lojtarë. Polonia e viteve të fundit, e Lewandowskit e ka adet të dështoj në gara të mëdha. Në kualifikime janë ujq, në garat finale pula! Përsëri 4-4-2 nuk i funksionoi Nawalkas, e në ndeshjen tjetër do të provojë të ikën nga ky formacion, duke dështuar edhe me të riun, për të përfunduar garën, si zakonisht, në grupe.
Senegali bën atë që u deshën ta bëjnë – kundërsulmuan! Zunë në gjumë polakët dhe shfrytëzuan këto raste edhe nga ata që pritej më së paku, si Mbaye Niang! Janë ekip i papërshtatshëm, dhe kualifikimi në rrethin e dytë nuk do të ishte befasi. Ky grup është më i paqarti deri tani!
PROBLEMATIKU DZYUBA
Artyom Dzyuba ka pasur probleme me Mancinin në Zenit, ka pasur probleme me Emeryn në Spartak. Në Arsenal Tula ka gjetur hapësirë për t’u thirrur në Kupën e Botës dhe në dy ndeshjet e para po tregohet i pakapshëm për kundërshtarët.
Shumica kishin dyshime në këtë Rusi duke pasur parasysh kundërshtarin në ndeshjen e kaluar. Por, kishim harruar edhe që Mohamed Salah është vetëm njeri! Nuk pati shumë hapësirë, dhe qartazi dukej se nuk ishte i përgatitur. Ndoshta edhe presioni ka bërë të veten.
Egjiptianët çuditërisht nisën pa njërin prej më të mirëve në xhiron e parë, Amir Wardan, derisa goli i hershëm në pjesën e dytë gjithnjë të prish punë! Rusët ishin të mirë në mesfushë, luftarak sikur ndeshjen e kaluar me Gazinskyn e Zobninin. Cheryshev po habit, derisa tek egjiptianët nuk ishte i mençur largimi i Trezeguet i cili ishte i vetmi që rrezikonte në pjesën e parë. Egjipti do të ketë derbin me arabët, e Rusia do të shijojë rrethin e dytë për herë të parë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.
NESËR
Uruguai e nis me Arabinë Saudite dhe me një fitore do të mbyllte këtë grup. Edhe barazimi do t’u kryente punë jug-amerikanëve, ndonëse s’besoj që mund të ndodh kjo. Pastaj janë dy fitore të lehta të Spanjës ndaj Iranit dhe Portugalisë ndaj Marokut.
Ose, ndoshta mund të befasojnë? Kupat e Botës kurrë nuk janë të sigurta. Tek njëra palë mund të ndikoj presioni, tek tjetra lehtësia që nuk kanë për të humbur gjë.