UEFA
Trepça ‘89 e Prishtina në renditjen e UEFA-së
29 December, 2017 @12:15
Në listën e publikuar nga UEFA sa i përket renditjes së ekipeve evropiane në bazë të koeficientëve që caktohen varësisht nga rezultatet, për herë të parë në këtë listë ndodhen edhe dy ekipe nga Superliga e Kosovës.
Trepça ‘89 dhe Prishtina, të cilat verën e vitit 2017 ishin pjesë e kualifikimeve drejt Champions Leagues, respektivisht Europa Leagues, bëjnë pjesë në këtë renditje të publikuar nga shtëpia e futbollit evropian.
Skuadra mitrovicase në rrugën drejt Ligës së Kampionëve u eliminua nga skuadra e Vikingurit nga Ishujt Faroe, kurse Prishtina në rrugën e saj drejt Europa Leagues u eliminua nga suedezët e Norrkopingut.
Në renditjen e publikuar nga UEFA, Trepça ‘89 ndodhet në vendin e 439, ndërsa Prishtina dy pozita më poshtë. Fakti që dy skuadrat kosovare kanë marrë pjesë për herë të parë këtë vit në gara evropiane dhe ndodhen për herë të parë në renditjen e UEFA-së ndikon edhe në pozicionim, pasi që renditja e UEFA-së bazohet në rezultatet dhe sukseset e skuadrave në 4 sezonet e fundit, pra jo gjithçka varet nga sezoni i fundit.
Duhet përmendur që kjo renditje bazohet në rezultatet e skuadrave në ndeshjet e zhvilluara në Champions League e Europa League, ndërsa kjo renditje ka ndikim në përcaktimin e vazove në tërheqjen e shorteve në garat e ardhshme të organizuara nga UEFA.