DITARI NR 19 @ EURO2016
Turp italian
Shkruan: Luan MORINA
3 July, 2016 @13:32
Dueli i gjigantëve evropian siç quhej nga shumica para ndeshjes ishte duel i kotë që tërë ndeshja prej 120 minutave mund të përmblidhet në 10 minutat e dominimit gjerman. Ishte ai dominimi që ndëshkoi tre italianë me kartonë të verdhë dhe u kurorëzua me një gol të Ozil.
Gjermanët nuk kanë treguar ndonjë formë superiore gjatë këtij kampionati, jo një formë dominuese kampioni, por kanë luajtur më bukur se italianët. E vetmja armë për ti mposhtur italianët ishte arma e tyre - formacioni i njëjtë. Por, jo edhe mënyra e zhvillimit të lojës. Gjermanët nuk frikësoheshin të mbanin topin në të tretën kundërshtare e aq më pak të krijonin shanse. Është vështirë të luash futboll të bukur, të lirë kundër italianëve sepse mund të pësosh kur e prit më së paku. Tani, nëse shton edhe praninë e Kimmich në ekipin tënd atëherë duhet të jesh edhe më i kujdesshëm. Por, kjo është puna e italianëve dhe ashtu e bëjnë këtë kundër ekipeve më të mira se ta.
Është qyqarllëk të shohim Italinë – katër herë kampione e botës të kaloj më pak kohë se Irlanda Veriore në zonën gjermane. Është qyqarllëk të kenë po aq gjuajtje drejt portës sa kishte Sllovakia e Polonia kundër gjermanëve. Është strategji nënshtrimi që nuk ka qenë gjithnjë e pranishme tek azurrët. Por, Conte dhe idetë e tija për një futboll të tillë e bëjnë këtë. E mira e të mirës është që kjo dështoi, edhe pse vonë mbrëmë.
Gjermania pas daljes së Gomezit kishte probleme. Ozil pati një paraqitje mjeshtërore derisa Muller thjesht duhet të harroj këtë verë. Kimmich nuk është për atë pozitë – Mustafi e edhe Can janë shumë më të mirë se ai si mbrojtës të djathtë. Neuer e tregoi veten.
Italianët me mençuri u bazuan në armën e tyre më të fortë – mbrojtjen. Dhe u mbrojtën mirë, por shihej lodhja. Barzagli e Chiellini tashmë kanë kaluar 33shin, ndërkohë emrat e mesfushës kurrë nuk janë të denjë për këtë përfaqësuese, ngjashëm si Eder. Mirë i rezistuan presionit dhe ia dolën qëllimit aq të dukshëm – penalltitë dhe ndoshta një mini-presion nga minuta e 115të.
Gëzohem që mbeti Gjermania pasi me Italinë, Portugalinë, dhe Uellsin, do të kishim një finalist me lojë defensive hendbolli. Nejse, Uellsi është pak më i mirë se këto dyja. E tash, Islanda.