MESTALLA
Valencia e Mustafit s’njeh kampionin
4 October, 2014 @19:18
Kampioni aktual i Spanjës, Atletico Madrid, është gjunjëzuar në stadiumin e mbushur përplotë të Mestallas në Valencia.
Ekipi i udhëhequr nga Diego Simeone është ngrirë tërësisht vetëm brenda 13 minutave të para, pasi vendasit krijuan epërsi të shpejtë prej 3-0.
Rezultati fillestar u ndryshua vetëm pas gjashtë minutave lojë kur qendërmbrojtësi brazilian i Atleticos, Miranda, shënoi në portën e gabuar për të dalur Valencia në epërsi 1-0. Vetëm një minutë më vonë rezultati u dyfishua me golin e Andre Gomesit, derisa për 3-0 shënoi Otamendi në minutën e 13’.
Mysafirët e zvogëluan disavantazhin me golin e Mario Mandzukicit (29’) dhe ishin fare pranë rikthimit në lojë pak para përfundimit të pjesës së parë kur fituan penallti, të cilin nuk arriti ta shndërrojë në gol braziliani Guilherme Siqueira.
Mbrojtësi shqiptar me pasaportë gjermane, Shkodran Mustafi, luajti gjatë tërë ndeshjes për skuadrën e Valencias, duke formuar zemrën e mbrojtjes së bashku me argjentinasin Otamendi.
Në fund Atletico e përfundoi takimin edhe me një lojtar më pak pasi zëvendësuesi italian, Alessio Cerci, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe më pas edhe me të kuqin vetëm pak minuta para fundit të takimit.
Rezultatet dhe tabela aktuale.