VËLLAZNIMI - FLAMURTARI

Foto: KFV
Vëllaznimi mposht Flamurtarin në Gjakovë
11 March, 2018 @14:57
Pas suksesit ndaj Dritës në Kupën e Kosovës, Vëllaznimi formën e mirë e ka vazhduar edhe në Superligë.
Gjakovarët shënuan fitore në takimin e luajtur ndaj Flamurtarit në shtëpi, takim ky i cili mblodhi afro 3000 shikues në stadium.
Vëllaznimi u tregua skuadër më kërkuese që nga fillimi, ndërsa goli i epërsisë erdhi nga Jeton Dushi pak para fundit të pjesës së parë. Dushi shënoi një gol tejet të bukur me të djathtën pas një akcioni individual, për ta dërguar skuadrën e tij në pushim me epërsi minimale.
I njëjti lojtar rrezikoi seriozisht edhe në pjesën e dytë, por goli i tij u mohua nga portieri mysafir, i cili sot pati paraqitje mjaft të mirë.
Vulosja e fitores së gjakovarëve u bë nga Besnik Krasniqi, i cili shënoi në minutën e 79’ për 2-0, gol ky që e mbylli plotësisht dilemën e fituesit të këtij dueli.
I vetmi shqetësim për gjakovarët sot ishte lëndimi i Lekë Vulës, i cili u detyrua të largohet nga loja në fundin e pjesës së parë, për t’u zëvendësuar nga Flamur Bajrami, përforcimi i janarit.
Kjo fitore e vazhdon luftën e Vëllaznimit për t’i ikur zonës së barazhit, ndërsa Flamurtari ndodhet një pozitë më poshtë.