KOLUMNE
Vera në AC Milan
Shkruan: LUAN MORINA
24 May, 2017 @10:54
Ndryshim rrënjësor tek Milani duhet edhe në aspektin teknik. Pastrimi tashmë ka nisur tek stafi dhe ndoshta do të duhej të vazhdonte edhe tek trajneri i ekipit të parë. S’do të mbaja Montellën, sidomos nëse ka ndonjë emër më të favorshëm në treg. Mancinin s’do e vendosja në vend të tij. Sidoqoftë, kanë probleme më kryesore.
Porta…
Rinovimi i Donnarummas më shumë është lojë mediatike se sa problem real. Ajo çfarë ka marr deri tashti – 200 mijë euro në vit, që është pesëfish më pak se Paletta i cili i ka shkaktuar më së shumti probleme, është turp. Një kontratë e mirë do të duhej të qetësonte mediat. Gabriel është i prirë për tu larguar, ngjashëm edhe Diego Lopez. Plizzari mund të angazhohet me të rinjtë, derisa Storari dhe abeja i Donnarumës do të duhej të ishin rezerva në Kupë.
Në mbrojtje…
Të gjithë kanë kontrata afatgjate. Paletta hyn në të fundit dhe si opsion i pestë mund të kryej punë. De Scigilio largohet, derisa Ely e Gomez mund të ikin si huazim, bashkë me Vangionin e Calabrian. Kjo i lë me Romagnolin, Zapatan, Antonellin, e Abaten. Një vijë mbrojtjeje e cila me ardhjen e Musachios, si dhe transferimet eventuale të Rodriguez, dhe një krahu tjetër, do të ishin solide për të luftuar për top4 në Itali. Rodriguez e Conti janë përmendur si emra. Besoj që ky i dyti do të ishte më i dobishëm.
Kah mesi…
Honda dhe Poli s’do të vazhdojnë. Pasalic mund të transferohet për një çmim të favorshëm, por nuk do e përjashtoja as mundësinë e vazhdimit të huazimit edhe për një vit. Chelsea ka shumë emra në mesfushë, dhe nuk besoj që do të mund ta huazonte diku tjetër më mirë. Për të dy palët një vazhdim huazimi do të ishte i udhës. Kucka është karrem i mirë për tu futur si kundër-ofertë për ekipet italiane. Kushton pak dhe ka veçoritë e tija prej një mesfushori fizik. Një kundër-ofertë do të mund të kryente punë edhe për Bertolaccin, porse shitja e tij do të del në minus.
Mbeten Suso, Bonaventura, Montolivo. Sosa është në radarin e Fenerbahces, por nuk e shoh të largohet. Ngjashëm si Mati Fernandez i cili mbetet i preferuar për Montellën për shkak të ‘përvojës’ së tij. Për Locatellin do të mund të shfaqej mundësia e huazimit, sidomos nëse vazhdohet me Kuckan dhe Bertolaccin.
Kessie duket punë e kryer, e edhe Badelj s’do të duhej të vonohej. Nuk mjaftojnë vetëm këta dy për mesfushën e Milanit. Nevojitet një që sjell bagazh të përvojës dhe cilësisë. E dini emrin tim të preferuar, ama e dimë edhe që është i pamundur.
Në sulm…
Niang kthehet. Ndoshta do të jetë i vetmi që do të mbetet. Bacca largohet sigurisht. Edhe për 12 milionë tekefundit. Lapadula si rezervë s’do të ishte opsion i keq, ama edhe si sulmues i dytë nevojitet dikush më i mirë. Ka shumë punë për tu bërë në sulm dhe varësisht se a transferohet një super-lojtar, apo dy lojtarë më pak superiorë, mbetet të vendoset fati i Lapadulës e edhe i Cutrones.
Deulofeu s’do të vazhdohet. Nuk duhet të vazhdohet, as edhe si lojtar falas. Është i tmerrshëm para portës dhe kur nuk e gjen veten në një ekip si Evertoni, ku mund ta gjej veten në një ekip që Milani pretendon të shndërrohet në të ardhmen e afërt.