PËRFAQËSUESJA
Vokrri cakton afatin për emërimin e trajnerit
4 January, 2018 @11:15
Pas largimit të Albert Bunjakit, Kosova ende është në kërkim të një trajneri për përfaqësuesen A të futbollit.
Përveç mungesës së trajnerit, përfaqësuesja momentalisht ka probleme edhe me caktimin e miqësoreve në muajin mars për shkak të mungesës së një stadiumi tjetër që i plotëson kushtet të paktën për ndeshje miqësore, pasi që “Adem Jashari” në muajin mars do të përdoret nga Përfaqësuesja U21 për ndeshjet kualifikuese ndaj Azerbejxhanit dhe Gjermanisë.
“Në Kosovë nuk mund të zhvillojmë miqësore në muajin mars pasi që Përfaqësuesja U21 ka angazhime në stadiumin e vetëm që i plotëson kushtet për miqësore të skuadrës A.
Kemi nisur bisedimet për ta gjetur një stadium në Evropë ku do të mund të luajmë ndonjë miqësore. Nëse e gjejmë stadiumin, më pas e gjejmë edhe kundërshtarin.
Gjithashtu, deri në fund të muajit shkurt Kosova do ta ketë trajnerin e saj. Ende nuk kemi asnjë emër konkret, pasi duhet shikuar edhe anën ekonomike dhe disa aspekte të tjera.” - u shpreh kryetari Vokrri, përcjell Koha Ditore.
Kosova vitin 2017 e mbylli me fitore në miqësoren ndaj Letonisë, ndërsa këtë muaj përfaqësuesja jonë do t’i kuptojë edhe kundërshtarët për ‘Ligën e Kombeve’.