SPORT AVAZ

FFK
Vokrri: S’na ndalë Serbia!
9 July, 2013 @9:48
I paraqitur si legjendë e futbollit në kohën e vetë nga e përditshmja boshnjake Dnevni Avaz, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka thënë se Serbia nuk do të mund ta ndalë Kosovën në rrugën e saj të ndërkombëtarizimit.
“Tomislav Karadzic dhe Federata e futbollit të Serbisë nuk do të mund të na ndalin. Është pyetje ditësh se kur përfaqësuesja e Kosovës do të luajë ndeshje kualifikuese për Kampionat Europian dhe Botëror,” ka thënë ndër të tjera Vokrri në intervistën ekskluzive me boshnjaken Avaz.
“Nuk krahasohet Republika Srpska me ne. Ne jemi të pranuar nga 101 shtete, ndërsa Republika Srpska është pjesë e Federatës së Bosnjes dhe Hercegovinës,” është cituar kreu i FFK-së në intervistën e dhënë.
“Federata e futbollit serb është duke na ngadalësuar ritmin e pranimit, por nuk do të mund të na ndalë drejt pranimit,” është njëra ndër përgjigjet tjera që legjenda e futbollit kosovar i ka dhënë kësaj gazete.
FFK-ja është e pranuar pjesërisht nga FIFA, ku përfaqësuesja seniore nuk ka të drejtë loje ndërkombëtare, derisa të tjerat po, por me disa kufizime. Fadil Vokrri është shumë i njohur në ish Jugosllavi pasi që kohën më të mirë dhe famën më të madhe e ka arritur duke luajtur për Partizanin e Beogradit, që ka qenë fuqi në futbollin jugosllav.