1/8: FRANCA - ZVICRA
Xhaka shkëlqen, Mbappe figura tragjike, Zvicra eliminon Francën!
28 June, 2021 @23:50
Një ndeshje për të mos u harruar u zhvillua sonte në Bukuresht të Rumanisë. Spektakël dhuruan Franca e Zvicra, e krejt në fund pas gjithë asaj drame fitores iu gëzua përfaqësuesja zvicrane, e cila u tregua më e suksesshme në penallti, pas 120 minutave lojë që u mbyllën 3-3.
Franca, që startoi me formacion jo të zakonshëm 3-4-3, zhvilloi një pjesë të parë jo fort të mirë dhe me meritë e mbylli në disavantazh. Për Zvicrën golin e epërsisë e shënoi Haris Seferovic me kokë në minutën e 15´.
Paraqitje shembullore në pjesën e parë pati në përgjithësi përfaqësuesja e Zvicrës e veçanërisht Granit Xhaka e Manuel Akanji, që neutralizuan komplet fazën sulmuese franceze gjatë 45 minutave të parë.
E një prej momenteve vendimtare të ndeshjes ngjau në minutën e 55´, kur penalltinë e dhënë me ndihmën e VAR, Rodriguez i zvicranëve e shpërdoroi, për ta lëshuar kështu mundësinë e artë që ta çonte rezultatin në 0-2. Momentumin e fituar nga penalltia e pritur dhe ndihmën e “ligjit të pashkruar të futbollit” francezët e shfrytëzuan menjëherë dhe maksimalisht.
Ishte Karim Benzema ai që me dy gola të shpejt në minutat 57`e 59´ ktheu gjithçka në anën e francezëve, e më vonë për 3-1 mjeshtërisht shënoi Paul Pogba (76´) nga distanca, për ta afruar kështu shumë Francën me fitoren.
Kur u mendua se gjithçka kishte përfunduar, Zvicra fillimisht e ngushtoi rezultatin në 3-2, ku përsëri Seferovic me kokë shënoi në minutën e 81`, e më pas në minutën e 90´ barazoi Gavranovic, goli i të cilit erdhi pas asistimit nga Granit Xhaka, dhe kështu Zvicra e barazoi rezultatin në 3-3.
Në minutat shtesë të ndeshjes, Mehmedi i inkuadruar nga banka pati një mundësi të mirë për Zvicrën, e Coman i francezëve e goditi shtyllën, por asnjëra prej përfaqësueseve nuk shënoi më dhe skuadrat e mbyllën kohën e rregullt me rezultat 3-3, për të shkuar kështu në vazhdime.
Dy pjesët nga 15 minuta gjatë vazhdimeve u mbyllën pa ndonjë gol të shënuar, për ta detyruar kështu ndeshjen të shkojë në penallti, ku më e suksesshme u tregua përfaqësuesja zvicrane. Nga 5 penalltitë e gjuajtura, te Zvicra nuk gaboi askush, kurse te Franca i pasaktë në penalltinë e fundit u tregua Kylian Mbappe, e kështu Franca u eliminua nga kampionati evropian, ndërkohë që Zvicra e arriti çerekfinalen.
Padyshim që për t`u përmendur nga ky takim është paraqitja fantastike e Granit Xhakës, lojtarit më meritor për kualifikim të Zvicrës. Xhaka sonte e zhvilloi ndoshta paraqitjen e tij më të mirë në karrierë.
Në çerekfinale Zvicra do të takohet me Spanjën, e cila sot e eliminoi në mënyrë tejet dramatike Kroacinë