ADNAN JANUZAJ

Ylli i ndeshjes në humbje
8 January, 2014 @13:25
Kosovari Adnan Januzaj është përzgjedhur lojtari i ndeshjes përkundër se ekipi i tij humbi befasisht nga Sunderlandi ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Ligës.
Manchester United ka pësuar humbjen e tretë me radhë në të gjitha garat dhe kriza e djajve të kuq po vazhdon, derisa ylli i ri kosovar Januzaj bëhet baza e ekipit të David Moyesit, që në mungesë të Wayne Rooney dhe Robin Van Persie merr përgjegjësinë kryesore të skuadrës.
Sipas kanalit televiziv Eurosport, Januzaj ka bërë më shumë sesa që mund t’i ipet përgjegjësi një 18 vjeçari në një ekip si Manchester United.
Ai ia nisi ndeshjes në krahun e majtë, derisa veterani Ryan Giggs luante në mes, por vetëm pas 20 minutave Moyes ua ndërroi pozitat dhe kosovari morri më shumë kontrollë në lojën e Manchesterit dhe tregoi ndikimin e tij.
Bile, ai shënoi edhe një gol që u anulua për shkak të pozitës jashtë loje, derisa ai fitoi edhe një gjuajte të lirë prej së cilës Manchester për pak sa shënoi.
Manchester United nuk ka humbur tre ndeshje me radhë që nga stinori 2000/01, ndërsa kjo nuk i ka ndodhur brenda shtatë ditëve që nga viti 1992.
David Moyes ka kritikuar referët në këto ndeshje, duke thënë se Manchester United po duhet të luftojë edhe ndaj kundërshtarit, por edhe ndaj referëve në çdo ndeshje.