KOMUNIKATA
Zhvillohet stërvitja para ndeshjes, Kosova e gatshme
Teksti: FFK
23 March, 2021 @22:21
Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot seancën stërvitore në prag të ndeshjes miqësore kundër Lituanisë, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. Dardanët stërvitën në fushën me bari sintetik në Kampin Nacional Edukativ në Hajvali. Në këtë stërvitje mungoi Amir Rrahmani për shkak të lëndimit, derisa portieri Arijanet Muric është larguar nga grumbullimi për shkak të shkeljes së rregullores disiplinore. Lidhur me grumbullimin e këtij muaji, përzgjedhësi Bernard Challandes foli kryesisht për ndeshjen ndaj Lituanisë, por edhe për atë kualifikuese kundër Suedisë.
“Jemi në prag të një fushate eliminatore dhe kemi një miqësore ndaj Lituanisë, që është mjaft e rëndësishme. Kjo miqësore vjen në një kohë të mirë, pasi kemi përballë një kundërshtar të fortë. Për mua dhe për futbollistët kjo miqësore është mjaft e rëndësishme si për mua. Duam të shohim ku jemi dhe të bëjmë një paraqitje sa më të mirë”, ka thënë Challandes. Ai më tutje ka konfirmuar se në miqësoren e nesërme do të mungojë Amir Rrahmani, i cili është i lënduar, derisa ka shprehur shpresën që së paku në ndeshjen e tretë kundër Spanjës të jetë në shërbim të tij.