PREJ VIZITËS
Zyrtari i UEFAs për zhvillim, shikoi nga afër të rinjtë
Teksti: FFK
21 August, 2017 @21:41
Federata e Futbollit e Kosovës tash e disa vite po punon në zhvillimin e futbollit të të rinjve, duke organizuar tash e sa vite Kampin Kombëtar U-15, ndaj në këtë drejtim sot më 21 gusht në FFK, ka arritur përgjegjësi për zhvillimin e futbollit të rinjve pranë UEFA-s (UEFA Elite youth Development) Jean François Domergue, për të nisur Projektin e FFK-së për zhvillimin e të rinjve.
Domergue u prit nga sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe kryetari i Shoqatës së trajnerëve dhe përgjegjës për këtë projekt Ajet Shosholli. Po ashtu Jean François Domergue, u takua dhe me presidentin e FFK-së Fadil Vokrri.
Qëllimi i kësaj vizite është që të shikohen përgatitjet për fillimin e Projektit për zhvillimin e të rinjve që nisë më 1 shtator dhe zgjatë deri në korrik të vitit 2018, kur mbahet Kampi Kombëtar.
Pas konsultimeve në zyrat e FFK-së Jean François Domergue në stadiumin “Agron Rama” në Kastriot pan nga afër futbollistët e rinj nga Rajoni i Prishtinës, duke mbajtur një seancë stërvitore me këta të rinj, ndërsa nesër do të vizitojë të rinjtë nga klubet e rajonit të Mitrovicës.
Të mërkurën më 23 gusht Jean François Domergue, bashkë me Ajet Shoshollin në Kastriot do të takojnë trajnerët e grup-moshave të reja dhe do të organizohet edhe një lojë. Po ashtu do të shikohen mundësitë për trajnimin dhe licencimin e trajnerëve me licencë fillestare dhe C, në mënyrë që të krijohen kuadro që do të punojnë me grup-mosha të reja.