10përVikend
10 për vikendin e gjatë
Shkruan: Luan MORINA
16 February, 2017 @22:28
Urime dita e Pavarësisë. S’ka mënyrë më të mirë të festës se sa me futboll. Por, nuk ka ndonjë ofertë aq të jashtëzakonshme këtë fundjavë. Tekefundit ndeshjet e mes-javës na kanë kënaqur. E më të mirat e kësaj fundjave i gjeni në vijim.
1. Burnley – Lincoln City (e shtunë, ora 1e30)
As Chelsea nuk mundi të fitoj në terrenin e Burnley. Me një ekip të përzier, nëse vendos të luaj Sean Dyche, nuk do të duhej të paraqiste problem mposhtja eventuale e Lincoln Cityt. Por, ekipet e Konferencës po tregojnë pse FA Cup është ndër garat më të bukura në futboll. Klasicizmi që mban në vete i jep hijeshinë kësaj kupe. Ndeshje e mirë për të nisur fundjavën.
2. Hertha – Bayern (e shtunë, ora 3e30)
E patë Bayernin të mërkurën? Po, ama ajo është fytyra e Bayernit në Evropë. Tashti, me pak interesim, Ancelotti mund të zgjoj një përbindësh fatal edhe në Bundesligë, por akoma është herët. Marsi është larg. Gjithashtu edhe Hertha nuk është aq e dobët sa Arsenali. Rivaliteti kapital ndërmjet këtyre dy ekipeve fatkeqësisht ka mbetur vetëm në letër.
3. Twente – Heerenveen (e shtunë, ora 6e30)
Holanda është kthyer në koloninë e talenteve kosovare. Përballjet ndërmjet lojtarëve tanë nuk janë ndonjë rast i radhë, dhe një ndodhi e tillë është në program edhe këtë të shtune. Me marsin afër do të ishte freskuese të shohim Bersant Celinën për Twenten dhe Arbër Zenelin për Heerenveenin. Që të dy janë zakonisht startues në ekipet e tyre, kështu që s’do të duhej të prisni për inkuadrim eventual të tyre.
Shpresojmë!
4. Sociedad – Villarreal (e diel, ora 12)
Ajo çfarë i dallon këto dy ekipe nga Atletico e Madridit është vazhdueshmëria. Që të dyja arrijnë të kenë vetëm një sezon të mirë, pastaj dy-tri sezone mesatare, njëri prej të cilëve i sheh në një pjesë të sezonit në dhjetëshen e poshtme. Këtë vit që të dyja janë mirë, dhe revolucioni në ndarjen e të hyrave televizive që ka nisur këtë sezon i ka bërë konkurrente ndaj dyshes lidere. Pos, takimeve me Realin e Barcelonën, edhe takimet si ky, ndërmjet vete shpesh dinë të jenë të ngjyrosura me futboll të bukur, sidomos kur është pa kalkulime.
5. Fulham – Tottenham (e diel, ora 3)
Derbi i Londrës do të testoj Tottenhamin që akoma vazhdon të vuaj nga paaftësia për të pasur formë të baraspeshuar. Me një ndeshje të mirë, me një të keqe nuk fitohen titujt. Thellësia e ekipit lodh të gjithë talentet që kanë. Por, jo të gjithë janë talente, dhe nganjëherë vendosen në pozita të papërshtatshme duke injoruar kundërshtarin, si për shembull ndaj Liverpool. Me angazhimin në Evropë, Tottenham mund të mos i jap shumë rëndësi kupës. Por, edhe kjo mund të jetë gara e vetme ku mund të fitohet një trofe aq i nevojshëm për këtë gjeneratë lojtarësh. Nuk mjaftojnë vetëm pozitat në top 4she. Nuk janë Arsenal!
6. Monchengladbach – Leipzig (e diel, ora 3e30)
Ndoshta mësysh i kemi marr Leipzigut. Dy humbje radhazi, edhe atë si vendas, kundër HSV! Ky do të duhej të ishte fundi i ‘humnerës’ për ta, por në Bundesligë kurrë nuk dihet. Nejse, pos që Bayerni fiton çdo gjë që dëshiron të fitoj. Po, edhe që merr çdo lojtar që dëshiron të marr. Së paku në vjeshtë Leipzig ka qenë argëtim për tu parë. Ekip që luajnë futboll ekipor, mbushur me talente. Monchengladbach siç duket nuk po mundet të duroj Evropën. Gjërat mund të ndryshojnë tashti që kanë rinisur garat evropiane, dhe le të shpresojmë që trajneri aktual do të mbetet edhe në janarin e vitit 2018.
7. Blackburn – Manchester United (e diel, ora 5e15)
Para nja 20 viteve kjo do të ishte ndeshje për titullin e kampionit anglez. Tashti do të duhej të ishte vetëm formalitet për United, por jo edhe aq lehtë. Ekipi i Mourinhos di të vuaj ndaj ekipeve inferiore dhe atyre që mbrohen. Në Ewood Park kanë rënë e kanë pasur probleme edhe shumë ekipe tjera nga Premier League viteve të fundit. Dhe kur i shtojmë kësaj edhe paaftësinë e United për të qenë vrasës ndaj ekipeve të këtilla, atëherë mund të jetë lojë e gjatë, me shumë raste, paraqitje të hatashme të portierit të Blackburn, dhe pa gola - diçka të cilën United nuk mund të lejoj për shkak të angazhimeve shtesë që ka në katër frone!
8. Roma – Torino (e diel, ora 6)
Arlind Ajeti është ngjallur dhe në çfarëdo mënyre qoftë po e vendos emrin e tij në listën e golashënuesve. Sinqerisht gabimi dy javë më parë duhet ti arsyetohet. Edhe autogoli është fat. Por, nuk ka më hapësirë për pakujdesi, aq më pak kundër Romës. Që të dyja janë larg aspiratave të tyre – titullit, dhe Europa League. Por, asnjëra nuk mbahen mbrapa me lojë, kështu që mund të kemi një ndeshje të bukur në Serie A.
9. Milan – Fiorentina (e diel, ora 15n9)
Milani gjysmën e ekipit e ka në spital. Gjysmën tjetër i ka të aftë vetëm për një ekip si Empoli e Bologna të cilat nuk janë aq të dobëta sa për të rënë nga liga, por nuk janë as për Evropë. Fitorja kundër Bolognas dhe barazimi kundër Lazios kanë qenë si shpagim i fatit që ka dërguar gjysmën e ekipit në spital. Por, nuk është faj i fatit pse Paletta ka humbur shurupin magjik të Barti Krouç të riut dhe është kthyer në njeriun që preferon kartonët e kuq. Fitorja e Fiorentinës është e vetmja gjë që duhet të parandalojnë. Përndryshe si zakonisht Evropa për Milanin mbetet po aq afër sa liberalizimi i vizave për ne.
10. Sutton United – Arsenal (e hënë, ora 5n9)
Boll ma! Nuk mjafton vetëm largimi i Arsene Wenger. Në fakt është gjëja e parë që duhet të ndodh. Duhet një ndryshim filozofie nga themelet për të fituar ndonjë titull Arsenali. Dhe derisa mbeten kësisoj me talente si Gabriel e me arinj të fjetur si Ozili, Arsenali s’do të ishte çudi të eliminohej edhe nga Sutton United. Në fakt, një eliminim i tij ndoshta do të ishte i domosdoshëm për të nisur zinxhirin e ndryshimeve. Por, ndoshta Arsene është i paprekshëm! Të shohim nëse do të turpërohen edhe më shumë se në vend-dhunimin e tyre të përhershëm, ‘Allianz Arena’.