REAL MADRID - NAPOLI
Reali e kryen detyrën me sukses
15 February, 2017 @22:28
Real Madrid ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në rrugëtimin e tij drejt çerekfinales në Ligën e Kampionëve.
Galaktikët treguan lojë të mirë ndaj skuadrës italiane, Napoli, të cilën e mposhtën me rezultat 3-1 në stadiumin “Santiago Bernabeu”.
Mysafirët e filluan furishëm ndeshjen duke shënuar qysh në minutën e tetë, ndërsa goli erdhi nga Lorenzo Insigne, i cili shënoi nga distanca falë edhe reagimit të gabueshëm të portierit madrilen, Keylor Navas.
Rezultati u barazua në minutën 19’ me golin e shënuar nga Karim Benzema, i cili u tregua i saktë me kokë pas krosimit të bukur të Carvajal.
Gola tjetër në pjesën e parë nuk pati, ndërsa rrjetat vazhduan të tunden në pjesën e dytë.
Dhjetë minutat e para të pjesës së dytë shkuan në të mirë të Realit, i cili arriti të shënojë dy herë.
Së pari Toni Kroos e kaloi skuadrën e tij në epërsi pas asistimit të Cristiano Ronaldos, kurse më pas braziliani Casemiro me një goditje perfekte nga distanca e befasoi portierin napolitan, Pepe Reina.
Napoli gjeti një tjetër gol në minutën 81’ me anë të spanjollit Jose Callejon, por gjyqtari kryesor i ndeshjes e anuloi duke e vlerësuar atë si gol jo të rregullt për shkak të pozitës jashtë loje.
Deri në fund të takimit pati edhe disa gjysmë raste shënimi, mirëpo jo edhe aq sa për ta ndryshuar rezultatin.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ishte përsëri në nivel të detyrës te Napoli, duke luajtur përgjatë 90 minutave, por që kontributi i tij nuk mjaftoi që të shmanget humbja e sontme.
Ndeshja e kthimit mes Realit dhe Napolit do të luhet pas tri javësh, përkatësisht më 7 mars.