NË FINALE
3 minutat e Ronaldos, mjaftojnë për finale
6 July, 2016 @22:42
Një kërcim atletik mbi mbrojtjen uellsiane dhe goditje me kokë, që përfundoi në portë si dhe një asistim për Lusi Nanin dinak - të dyja këto brenda tre minutave në pjesë të dytë, kanë mjaftuar që Portugalia të arrijnë finalen e dytë në histori të saj në Kampionate Europiane.
Cristiano Ronaldo është treguar maestral në këto momente me veprimet e tij dhe prej minutës së 53-të deri në fund të ndeshjes, përveç tentimeve të Gareth Bale-it, Uellsi nuk dha diçka më shumë për t’iu kundërvënë portugezëve.
Portugalia në finale pret fituesin e ndeshjes Gjermania - Franca.
Cristiano Ronaldo barazoi rekordin e Michel Platinisë për golat e shënuara në europiane, duke arritur shifrën e nëntë golave.
Ndërsa në EURO2016, ai i afrohet kreut me 3 gola të shënuara.
FOTO: Portugalia e Luiz Felipe Scolarit, kur kishte arritur finalen në EURO2004.
Për herë të parë dhe të fundit, Portugalia kishte arritur finalen e EUROve në vitin 2004, të cilën e kishin humbur nga Greqia befasuese.
Fitorja e sontme ka qenë e para për Portugalinë në kohë të rregullt në këtë europian. Në momentin më të duhur - për të arritur finalen.