DISCIPLINORJA

4 muaj suspendim
15 April, 2015 @15:54
Trajneri më i mirë i vitit të shkuar në Superligë, Ismet Munishi, është suspenduar me 4 muaj për shkak të fyerjeve dhe ofendimeve pas ndeshjes Hajvalia-Besa, ka bërë të ditur FFK-ja sot.
“Ismet Munishi, trajner i klubit Hajvalia, dënohet me ndalesë të kryerjes së funksionit të trajnerit dhe funkcioneve tjera në klub në kohëzgjatje prej 4 muajsh, për të gjitha ndeshjet e organizuara nga FFK-ja në bazë të Rregullores Disciplinore, Neni 39, Paragrafi 1, Pika 5,” ka shkruar ndër të tjera njoftimi i FFK-së i lëshuar pak më parë në përbërje prej Dukagjin Zefit, kryetar dhe Luan Salihut e Avni Shalës, anëtarë, të Komisionit Disciplinor.
Sipas këtij vendimi, Munishi u suspendua për: fyerje dhe sharje drejtuar gjyqtarëve të takimit, ofendime ndaj zyrtarëve të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës si dhe deklarimet e pamatura dhe të pa argumentuara dhënë mediave elektronike dhe atyre të shkruara.
Hajvalia ishte mposhtur nga Besa 1-3 në këtë ndeshje, derisa ekipi vendas aludoi në penallti të padhënë si dhe një gol të anuluar pa arsye..