KOLUMNE
5 për fundjavë! - e para e sezonit
Shkruan: G.P
13 August, 2021 @15:43
Fundjava e parë e sezonit të ri në shumicën e top ligat evropiane dhe rrjedhimisht “5 për fundjavë!” e parë për sezonin e ri.
Si jo rrallëherë, duket që edhe këtë fundjavë vëmendja do të jetë në Angli. Stadiumet e mbushura plot, rikthimi i orarit të vjetër me shumë ndeshje në një orar të caktuar dhe disa ndryshime të rregullave kur bëhet fjalë për VAR-in - tri prej shumë arsyeve që na premtojnë edhe një tjetër sezon fantastik të Premier Ligës.
1. Brentford - Arsenal (e premte, 21.00)
Ndeshja hapëse e kampionatit anglez. Pas disa tentimeve për vite me radhë, më në fund Brentfordi u ngjit në Premier League. Në stadiumin e tij simpatik, Brentfordi sonte pret Arsenalin e Artetës.
Në Championship, Brentfordi për dy vite me radhë ishte skuadra që shënoi më së shumti gola. Ishte skuadër atraktive, por edhe e balancuar. Tash, në Premier League do të kenë punë më kundërshtarë më të fortë dhe se sa janë të fortë të shtyhen me të mëdhenjtë, do ta shohim, duke filluar nga ndeshja e sontme ndaj Arsenalit.
Sa i përket skuadrës londineze, disa përforcime të ardhura në mbrojtje dhe disa të rinjë të talentuar që do të jenë edhe më të pjekur këtë sezon, mund ta bëjnë këtë skuadër më garuese sesa sezonin e kaluar. Le të shohim.
2. Manchester United - Leeds (e shtunë, 13:30)
Dy kundërshtarët e vjetër të futbollit anglez hapin sezonin në një “Old Trafford” të mbushur plot. Vitin e kaluar përballja e luajtur në po të njëjtin stadium përfundoi 6-2 për vendasit. Zakonisht skuadrat që mbajnë topin shumë dhe sulmojnë më shumë, dënohen nga kundërsulmet e shpejta të Unitedit dhe kjo i ndodhi Leedsit në atë ndeshje, Skuadra e Bielsës dhe taktika e tij e famshme “man-marking” u deklasuan keq në “Old Trafford”, gjë që nuk do të duhej të përsëritej këtë fundjavë.
Problemi më i madh i United para këtij dueli është forma fizike e lojtarëve, duke qenë se faza përgatitore nuk kaloi siç duhet dhe shumë lojtarë u bashkangjiten vonë me grupin. Këtë problem United e pati edhe para sezonit të kaluar, e kjo rezultoi në humbje 1-3 në ndeshjen hapëse ndaj Crystal Palace. Kur dihet që Leeds është një prej skuadrave më vrapuese dhe me përgatitjen fizike më të mirë në ligë, në rast se lojtarët e United shfaqin shenja lodhjeje, një ndodhi si ajo ndaj Crystal Palacet në ndeshjen hapëse të sezonit të kaluar mund të përsëritet shumë lehtë.
Gjithsesi, të dyja do të shënojnë gola në këtë takim. Do të jetë një ndeshje e hapur.
3. Norwich - Liverpool (e shtunë, 18:30)
Milot Rashica - edhe një arsye për ta shikuar Premier Ligën. Norwich, skuadra e rikthyer në Premier League pas një viti mungesë, këtë vit duhet të jetë më me përvojë që të shpresojë në mbijetesë. Para dy viteve, Norwich ishte një skuadër mjaft e mirë kur sulmonte, por mbrojtja e tmerrshme bëri që të binte nga liga. Skuadrat që ngjiten nga Championshipi zakonisht kanë probleme në fazën defansive kur ngjiten në Premier League (kujtojmë edhe Fulhamin), dhe nëse Norwichi nuk ka mësuar asgjë nga sezoni i parakaluar, do të bie përsëri nga liga.
Këtë të shtunë para Norwichit do të jetë Liverpooli i Kloppit. Ky i fundit këtë sezon do të shpresojë në më shumë fat me lëndimet, për të shpresuar më pas në luftën për titull.
Ndeshja e së shtunës mund të jetë mjaft e mirë. Të dyja skuadrat luajnë futboll të hapur. Në ndërkohë, shpresojmë ta shohim edhe Milotin në fushë.
4. Tottenham - Manchester City (e diel, 17:30)
Debutimi i Nuno Espirito Santos si kryetrajner i Tottenhamit do të ndodhë të dielën ndaj Cityt në Londër. Puna që ky trajner e bëri te Wolves ishte fantastike, por tash te Tottenhami presioni do të jetë padyshim më i madh.
Në anën tjetër, pas humbjes në Community Shield ndaj Leicesterit, City do të kërkojë të reagojë në ndeshjen hapëse të ligës.
Pas ardhjes së Grealish (por edhe pa të), City mbetet favorit për ta fituar përsëri titullin në Premier League. Nëse e transferojnë edhe Harry Kanen, skuadrat e tjera të ligës do të luftojnë për vendin e dytë.
Sa i përket Spurs, edhe fati i sezonit të tyre mund të varet nga qëndrimi/largimi i Kanet. Nëse ai largohet, vështirë se do ta shohim në luftë për top-katërshe Tottenhamin.
5. Barcelona - Real Sociedad (e diel, 20:00)
Barcelona pa Lionel Messin. Nuk na kujtohet hera e fundit kur Barcelona ishte pa Messin në ekip (pa llogaritur lëndimet). Do të jetë fillimi i një epoke interesante dhe ndeshja e parë e epokës së re do të jetë të dielën ndaj Sociedadit në shtëpi.
Sociedadi sezonin e kaluar startoi fuqishëm, e më pas dalëngadalë u rikthye në vendin e vet. Do të shohim se si do të fillojnë këtë vit.
Me gjasë, edhe këtë vit në luftën për titull do të jenë tri skuadra: Atletico, Reali e Barcelona. Por, vështirë se do të shohim garë aq të ngushtë si sezonin e kaluar.
Para se të mbyllet afati kalimtar nuk është e lehtë të bëhen parashikime, prandaj le të presim edhe pak.