5 PËR FUNDJAVË!

5 për fundjavë!
Shkruan: Luan MORINA
10 February, 2017 @13:31
1. Liverpool – Tottenham (e shtunë, ora 6e30)
2017ta ka nisur si është më së keqi për Liverpool. Tani larg, shumë larg luftës për titull, e vetmja gjë që mund të bëjnë djemtë e Klopp është t’i prishin punët ekipeve tjera. Në këtë rast Tottenhamit. Fjetja gjatë janarit, paaftësia për të gjetur kuadro të duhura në pozitat ku vuajnë më së shumti po lë mbrapa Liverpoolin që pos Premier League nuk ka asnjë gajle tjetër këtë sezon. Dhe megjithatë nuk arrijnë të sfidojnë të tjerët për titull. E vetmja gjë për të luftuar është mbetja në Top4she, gjë që nëse vazhdojnë kështu gjërat do të rrezikohej akoma pa dal pranvera.
Në anën tjetër Tottenham duket të jenë më stabil si në formë ashtu edhe në përbërje. Fitorja eventuale në Anfield do të ishte një shtytje tjetër para rikthimit të garave evropiane.
2. Burnley – Chelsea (e diel, ora 2e30)
Vetëm Wenger dhe Guardiola kanë fituar në ‘Turf Moor’ të Burnley. Ekipi i Sean Dyche që nga City ka shënuar pesë fitore radhazi në Premier League si vendas. Pos këtyre dy humbjeve, ata kanë humbur pikë vetëm edhe në barazim ndaj Hull dhe në ndeshjen e parë të sezonit nga Swansea. Pra, thënia që është e pamundur të fitohet si mysafir i Burnley, në realitet është më shumë një mit, që në cilëndo ligë tjetër do të ishte gjë normale. Por, jo në Premier League.
Chelsea vendos cili ekip do të jetë kampion. Varet nga ta nëse do të mbajnë hapin, apo do të lëshojnë pikë. Të tjerët vetëm mund t’i ndjekin nga larg. Dhe të luten në mrekulli.
3. Swansea City – Leicester City (e diel, ora 5)
Fitorja ndaj Derbyt, me një përbërje startuese të përzier dhe një lojë që deri diku të kujtonte Leicesterin e sezonit të kaluar, jep shpresë se ndoshta do të mbijetojnë në Premier League. Por, kjo zor që do të mjaftoj kur dihet forma të cilën po kalojnë ekipet tjera në luftë për mbijetesë. Ndër ta edhe Swansea.
Humbja e ekipit të Paul Clement javën e kaluar ishte një ngjarje e pafat. Arritën t’i bënin ballë njërit ndër sulmuesit me debutimit më impresionues në Premier League viteve të fundit. Edhe fitorja në Anfield kishte shfaqur shpirtin luftarak të këtij ekipi, ngjashëm si fitorja ndaj Southampton.
Asnjë ekip nuk ka rënë nga liga deri tashti, për dallim nga ligat tjera evropiane. Ndoshta këto të dyja mund të mbijetojnë. Ose edhe e kundërta.
4. Atletico – Celta (e diel, ora 9)
Dy barazime në udhëtim kanë lënduar në masë të madhe shanset e Atleticos për të luftuar për kreun. Këtë vit, pozita e katërt është më e hapur se viteve të kaluara në Spanjë, prandaj për Atleticon nuk mund të ketë rehati siç kishin ekipet tjera viteve të kaluara. Në fakt, lufta ndërmjet ekipeve tjera nga pozita 3 e teposhtë është goxha e nxehtë. Edhe përballja me Celtën pritet të ketë të njëjtën ‘temperaturë’.
Humbja goxha e pafat nga Alaves mund të ketë lënduar psiqikisht Celtën. Të eliminohesh nga Alaves, në gjysmëfinale, edhe atë pasi mposht Realin! Megjithatë, s’besoj që do të vazhdojnë të mbajnë mendjen aty. Kanë luftën me Atleticon, dhe Shakhtarin të enjten.
5. Lazio – Milan (e hënë, ora 9)
Kush do të luaj për Milanin këtë të hënë? Zapata dhe Gomez në mbrojtje mund të jenë më të mirë se katër Paletta të formës së fundit. Po shfaq vitet e tij, dhe ngjashëm krejt ekipi po shfaq butësinë e të qenurit vegjetarian! Gjuajnë si vegjetarian, vrapojnë si vegjetarian, humbin si vegjetarian! Por, ky nuk është problemi i ekipit. Milani ka shumë gjëra që nuk funksionojnë dhe duhet kohë për t’u rikuperuar. Ajo çfarë ka nevojë mbi të gjitha është ruajtja e qetësisë në klub dhe kjo nuk vjen duke i ndaluar dikujt mishin!
Të dyja vijnë me një formë ndryshe nga njëra-tjetra në këtë ndeshje. Lazio kishte shpartalluar Pescaran, derisa Milani mëzi që fitoi në Bologna. Në fakt është mrekulli si fitoi! Fitorja eventuale e Milanit, të cilët nuk janë edhe të panjohur, me fitore kundër të kaltërve në Olimpico do t’i jepte epërsinë në renditje për momentin. Në anën tjetër, me më pak presion janë vendasit të cilët me një fitore eventuale do të hiqnin qafe rossonerët, së paku për momentin.