KOLUMNE

5 për fundjavë!
Shkruan: G.P
27 August, 2021 @17:46
Fundjava para pushimit të kombëtareve. Ndeshje të mira ka në plot liga, por vëmendja kësaj radhe është te të dy ndeshjet e së shtunës në Premier League dhe te debutimi i Messit në Ligue 1 me Parisin.
1. Manchester City - Arsenal (e shtunë, 13:30)
Tjetër ndeshje e vështirë për Arsenalin në ligë. Londinezët fituan në mesjavë në Carabao Cup ndaj WBA-së, fitore që mund të shërbëjë për ngritje motivi, por ndaj Cityt në Etihad do të jetë një takim i vështirë.
City xhiron e kaluar ndaj Norwichit shpërtheu fuqishëm, ndonëse i ndihmuar edhe mbrojtja naive e Norwichit, e në anën tjetër Arsenali u shpartallua nga Lukaku me shokë.
Nëse mbrohet si ndaj Chelseat, Arsenali do të pësojë plot gola edhe ndaj Cityt. Ndaj mësuesit të tij, Arteta është i vetëdijshëm se çfarë mund t´i ndodhë nëse nuk mbrohet siç duhet.
2. Liverpool - Chelsea (e shtunë, 18:30)
Ndeshja kryesore e javës në Premier League. Dy skuadra me nga 6 pikë, të dyja pothuajse të kompletuara kur bëhet fjalë për lëndimet dhe që të dyja në formë mjaft të mirë.
Anfield i mbushur me tifozë dhe kundër njëra-tjetrës dy skuadra që, të paktën momentalisht, janë mes kandidatëve për titullin e kampionit në Angli.
Përveç një rezultati 5-3 që këto dy skuadra na dhuruan në fund të sezonit kur Liverpooli shpallej kampion, në përgjithësi ndeshjet tjera mes këtyre dy skuadrave ndër vite nuk kanë dhuruar shumë gola, por që kanë qenë gjithmonë të forta. Për më tepër, ky duel vë përballë dy gjermanë me histori të ngjashme. Tuchel e Klopp, që të dy kanë qenë trajnerë te Mainz, te Dortmund, që të dy janë fitues të Ligës së Kampionëve e tash që të dy janë në Premier League.
3. Betis - Real Madrid (e shtunë, 22:00)
Mes zërave për ardhjen e Kylian Mbappe, që do ta ngriste Realin në një tjetër nivel nëse vjen, Reali të shtunën ka punë në udhëtim te Betisi, skuadër që këtë sezon do të garojë edhe në Europa League.
Madrilenët e fituan ndeshjen e parë të kampionatit e më pas barazuan në udhëtim, kurse Betisi ka dy barazime pas dy ndeshjeve të para.
Sezonin e kaluar, kur Reali po luftonte për titullin kampion, një prej barazimeve vetëvrasëse në shtëpi erdhi pikërisht ndaj Betisit kah fundi i muajti prill, ndërkohë që në 5 takimet e fundit mes tyre në ligë, Reali ka fituar vetëm një herë, statistika që e dëshmojnë Betisin si një kundërshtar jo fort të preferuar të madrilenëve.
Trajner i Betisit është një ish-trajner i Realit, kiliani Manuel Pellegrini, trajner me mjaft përvojë, që mund t’ia vështirësojë punët Realit të shtunën mbrëma.
4. Wolfsburg - Leipzig (e diel, 17:30)
Dy skuadra gjermane që sezonin e kaluar e kaluan mjaft mirë dhe këtë sezon do të jenë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. “Ujqit” sezonin e kanë filluar me dy fitore, kurse Leipzigu u mposht në xhiron e parë nga Mainzi, e më pas fitoi ndaj Stuttgartit, takim i cili kaloi nën shkëlqimin e hungarezit Szoboszlai.
Leipzigu këtë sezon luan pa dyshen e larguar, Upamecano dhe Konate, të dy tejet të rëndësishëm, kurse Wolfsburgu kryesisht ka të ruajtur skuadrën e vitit të kaluar si dhe ka sjellur përforcime.
Do të jetë një takim interesant ky i së dielës dhe në përgjithësi sezoni 2021/2022 do të jetë interesant për këto dy skuadra. Mbetet të shihet se a do të jenë përsëri pjesë e top-katërshes gjermane.
5. Reims - PSG (e diel, 20:45)
Momenti i shumëpritur: debutimi i Leo Messit me Parisin në Ligue 1. Është paralajmëruar që do të ndodhë këtë fundjavë dhe sipas të gjitha gjasave kështu do të ndodhë.
Superylli i futbollit botëror aventurën e tij të re me Parisin do ta fillojë në ndeshjen ndaj Reimsit të Valon Berishës e Arbër Zenelit.
Do të duhej të ishte një fitore jo e vështirë për Parisin, por kjo ndeshje padyshim që do të ketë vëmendje tejet të madhe. Arsyeja dihet. Ndër të tjera, nuk besoj se Reimsin do ta shikojnë ndonjëherë më shumë shikues sesa këtë të diel. Sa i përket djemve të Kosovës, Valoni mund të luajë ndaj Messit këtë fundjavë, kurse Arbëri mbetet i lënduar.