ANALIZË
5 për fundjavë!
Shkruan: LUAN MORINA
28 October, 2017 @9:00
1. Manchester United – Tottenham (e shtunë, ora 1e30)
Problemet e Manchesterit kanë qenë të dukshme që nga ndeshja e parë e tetorit kundër Liverpoolit. Lëndimet dhe tentimet për të bërë rotacion (sidomos në qendërmbrojtësin e dytë dhe të majtë, dhe krahët e sulmit) për shkak të orarit të ngjeshur është dashur të rezultojnë me një rënie rezultatesh.
Lingard pati një ndeshje të shkëlqyeshme në Carabao Cup – ndaj formacionit të përzier të një ekipi që duhet të luftoj për mbijetesë. Për kësisoj ndeshjesh Lingard është i shkëlqyeshëm. Problemet për Unitedin vetëm sa do të vazhdojnë të shumohen në mungesë të alternativave më të dobishme në krahët e sulmit dhe të mbrojtjes. Për këtë arsye Tottenham është shumë ekip më i mirë se Unitedi.
Humbja ndaj West Ham nuk ka ndonjë shpjegim të arsyeshëm. Por, integrimi i Sanchezit në mbrojtje, si dhe afrimi i dyshes Winks-Dier në mesfushë në mungesë të Wanyamas e Dembeles për shkak të lëndimeve ka qenë ndër arsyet kryesore të formës së shkëlqyeshme të Spurs. E arsyeja kryesore ka qenë Harry Kane, mungesa e të cilit mund t’i jap një shancë për fitore skuadrës së Manchester United.
Për mua, Spurs janë ekipi i vetëm nga këto dyja që mund t’i rezistoj Cityt.
Milan – Juventus (e shtunë, ora 6)
Ekipi i vetëm që mund t’i rezistoj Napolit këtë vit është Juventus. Në fakt do të duhej të ishte e kundërta, por Sarri ka nisur shkëlqyeshëm këtë sezon, derisa Juventus ka humbur vetëm katër pikë, që kurrë s’do të ishin aq problem. Por, këtë sezon të gjithë kanë marrë hov, përfshirë edhe ekipe si Inter e Lazio që do të duhej të konkurronin vetëm për pozitën e katërt.
Higuain po merr periudha agjëruese kohë pas kohe, por si Dybala edhe ai ka gjetur portën kundër SPAL-it, në kohë për derbin ndaj Milanit.
Nuk besoj që do të mund të konsiderohej një derbi duke parë problemet e kuqezinjve. Montella ka bërë rotacione të panevojshme sidomos në sulm ku mbas çdo serie të mirë të cilitdo prej sulmuesve, janë shpërblyer me bankën rezervë. Përsëri pritet të ketë ndryshime në sulm, por pjesa tjetër mund të mbetet e njëjtë. Krahu i djathtë mund të jetë problem me mungesën e Calabrias, duke shtyrë Rodriguezin në krahë e Zapatan përsëri në fushë. Çdo ndeshje e kolumbianit në Serie A ka qenë e vendosur nga gabimet e tija. Mysafirët janë favorit dhe çdo dalje nga San Siro pa tre pikë do të ishte humbje për ta në luftën për titull, ndonëse është herët.
Bayern – Leipzig (e shtunë, ora 6e30)
Në ekipin startues të Leipzigut, vetëm portjeri Peter Gulacsi kalon moshën 26 vjeçare. I pazëvendësueshmi në mbrojtje, Dayot Upamecano ka 18 vjet, Jean-Kevin Augustin në sulm ka vetëm 20, derisa ylli i ekipit, Timo Werner, vetëm 21 vjeç. Janë njëra ndër ekipet më të talentuara në Evropë dhe pas fillimit jo aq të mirë me shtimin e Ligës së Kampionëve, kanë gjetur një formë të mirë me katër fitore radhazi.
Problemi kryesor mbeten nervat e Naby Keitas i cili ka marrë dy kartonë të kuq deri tani, e ka shtuar edhe tre të verdhë. Largimi i tij nuk do të mbulohet nga Kampfl sa nga Leimer e Demme, apo ndonjë ardhje tjetër. Ide e mençur do të ishte Valon Berisha nga Salzburgu. Nëse doni të shihni futboll të bukur, provoni sa më shumë të shihni lojëra të Leipzigut.
Bayerni pas largimit të Ancelottit kanë gjetur veten. Nga lëndimi është kthyer edhe Javi Martinez që ka një rol ndoshta pak të dukshëm, por goxha vital tek bavarezët. Lewandowski e Robben ka kohë që nuk kanë shënuar gola, por Thiago e Kimmich kanë kryer këtë detyrë së fundmi. Ndoshta edhe polakut nuk po i shkon për qejfi Heynckes e kemi ndërrime trajneri përsëri! (jo, çfarti!)
Vitesse – PSV (e diel, ora 12e30)
Jurgen Locadia ka munguar në kupë për shkak të lëndimit dhe mungesa e tij edhe ndaj Vitesses do të ishte një hendikep i madh për liderët e kampionatit holandez. Vetë ai është përgjegjës për shumicën e golave të shënuar këtë stinor tek PSV, bashkë me Pereiron dhe Lozanon. Janë ekip i mirë, i talentuar, por rezultati përfundimtar ndaj Vitesses, që po befason ndoshta deri në një masë, do të varet kryesisht nga forma e Santiago Ariasit dhe Joshua Benetit.
Aftësitë e tyre për të ndal Milotin dhe në krahun tjetër Bryan Linssenin do të përcaktoj rezultatin. Nuk kanë qenë të dobët ndaj skuadrave të nivelit të Vitesses, duke mposhtur në rrugë edhe ekipe si Heerenveeni. Por, përkrah Milotit dhe Linssenit, shumëçka do të varet edhe prej disponimit të qendërsulmuesit Tim Matavz.
Është një rast i përkryer për të parë Milotin në futboll holandez, rrethuar me talente në të dyja anët e fushës.
Leicester – Everton (e diel, ora 5)
Koeman ka merituar shkarkimin moti kohë. Gjithnjë ka qenë një trajner i mbivlerësuar, një Luis Enrique ta quajmë, ngjashëm si do të jetë edhe Cocu. Arsyetimi se me një sulmues do të kishte rezultate më të mira është goxha i vërtetë. Ardhja e Rooney ka prishur repartin e sulmit duke u bazuar në një gjysmësulmues i cili ka vuajtur të shënoj viteve të fundit edhe në një ekip si United. Edhe lëndimet e kanë bërë të veten, por megjithatë disa rezultate janë të pafalshme.
Të shkarkohet nuk e ka merituar Craig Shakespeare. Leicester ka pasur një kalendar më të rëndë dhe dy barazime të njëpasnjëshme për shkarkim janë arsye banale. Ardhja e Claude Puel nuk besoj që mund të bëj më shumë për kampionët e parafundit. Gabimi i vetëm i Shakespeare ka qenë mosangazhimi i lojtarëve si Iborra, Gray, e Iheanacho. Në fakt sulmi është tejet i mbipopulluar dhe emra si Slimani, Musa, që duhet të mbeten rezervë shumicën e kohës.
Mundësia për tu këndellur është më e madhe në anën e Leicesterit se sa tek Everton. Këta është më mirë të marrin një trajner afatgjatë, tutje këtij sezoni sepse ky është i humbur për ta.