ANALIZË
5 për vikend
Shkruan: LUAN MORINA
18 August, 2017 @14:37
Pesë ndeshjet që këtë fundjavë ia vlen të përcillen. Duke pasur parasysh që Bundesliga dhe Serie A fillojnë këtë vikend, ka ndeshje të mira, por edhe Premier Liga aspak nuk mbetet mangu.
1. Bayern – Leverkusen (e premte, ora 8e30)
Koha për të hapur edhe Bayernligën e cila këtë vit nis me një ndryshim të vockël – pas kupës. Vetëm Carlo Ancelotti mund të humb titullin me Bayernin, pasi nuk ka kush që mund ta fitoj. Mund të kemi një gjysmë-sezon nga ndonjëri prej ekipeve larg ‘klasikëve’ - me gjasë Hoffenheim e Leipzig, të cilët mund ti bëjnë ballë ose në vjeshtë ose në pranverë. Evropa do ti mundoj të dytë. Leverkuseni sonte shërben për golaverazh.
2. Liverpool – Crystal Palace (e shtunë, ora 4)
Crystal Palace di të mundoj Liverpoolin në ‘Anfield’. Por sezoni i tyre ka nisur si është më së keqi dhe një kthjellje eventuale s’do të duhej të ndodhte këtë të shtunë. Në anën tjetër mbetet të shihet si do t’ia dal Kloppi me rotacionin pasi një ekip i përzier me këtë bagazh lojtarësh do të rrezikonte ti linte mbrapa liderëve deri në pesë pikë, edhe atë ende pa filluar mirë sezoni.
3. Schalke – Leipzig (e shtunë, ora 6e30)
Leipzig është përforcuar në pozitat e duhur me talente të mira. I vetmi përforcim për Schalken është largimi i Weinzierl. Do të jetë interesante të shohim trajnerin e dytë më të ri në Evropë tek Schalke që kanë përzgjedhur Domenico Tedescon që vjen nga Aue. Vetëm dy vjet më i vjetër se Nagelsman është Tedesco, 31 vjeçar.
4. Tottenham – Chelsea (e diel, ora 5)
Derbi i parë i kryeqytetit botëror të futbollit të dielën. Është një luftë tejet e vlefshme për të dy ekipet. Tottenham vjen në Wembley për herë të parë në ligë, aty ku nuk u shkonte mbarë në Evropë sezonin e kaluar, me pothuajse asnjë prurje të gatshme. Chelsea provon të këndellet para se të bie në humnerën e vitit 2015. Herën e fundit me formacionin pasqyrë të Contes, Pochettino kishte pasur probleme të nxirrte rezultate pozitive. Me gjerësinë që kanë, asnjërës nga ekipet nuk u shkon për shtati humbja e pikëve kaq herët në sezon.
5. Atalanta – Roma (e diel, ora 6)
Do të jetë dueli i Gasperinit me Di Franceson. I pari nuk ia kishte dal të korrte sukses kur kishte kaluar në ekip të madh pas Genoas. Ky i fundit shpreson të ketë histori më të mirë. Gasperini ka mbledhur talente të mira, derisa Roma ka shitur më shumë se që ka blerë, por jo medoemos kjo duhet të pasqyrohet në filozofinë e Di Francesos. Do të duhej të ishte ndeshja më e baraspeshuar e javës së parë të Serie A.