KTHEHEN NË PRIZREN

Foto: Liria/fb
8 përforcime, 2 fitore e 2 barazime - bilansi i Lirisë në përgatitje
11 February, 2021 @21:11
Mbrëmë Liria është kthyer në Prizren, pas dy javësh qëndrimi në Durrës ku zhvilloi përgatitjet për pjesën pranverore të stinorit.
Në ndërkohë, Lirisë aty iu bashkua trajneri i ri Naci Sensoy, i cili bashkë me ndihmësit e tij Blerim Zherka, Bedridin Gjinali e Fatih Karahoda nga 4 përballjet e zhvilluara nxorrën dy fitore e dy barazime.
Liria mposhti Ferizajin 4-0 dhe Dardanën 2-1, ndërsa barazoi me Flamurtarin 1-1 dhe Vitinë 2-2. Liria luajti edhe ndaj Trepçës’89, por kjo ndeshje u ndërpre në minutën e 35 të takimit për shkak të shiut të rrëmbyeshëm atë ditë.
Futbollistëve bardhezi në këtë afat kalimtar iu bashkuan 8 përforcime. Iu kthyen ish lojtarët Armend Rugji, Liridon Fetahaj dhe Roni Gashi - të gjithë nga Ballkani, pastaj erdhën bullgarët Martin Kovachev e Borislav Bladzhiyski, malaziasi Miljan Vlaisavljevic si dhe nga kontinentet tjera, liberiani Omega Roberts Alamadine e braziliani Igor Felipe.
“Kemi kryer me sukes përgatitjet. Jemi të kënaqur me punën dhe përkushtimin. Atmosfera ka qenë shumë e mirë. Mendoj që jemi përgatitur dhe presim t’i tregojmë vlerat në kampionat,” ka thënë kapiteni Robert Gjeraj për faqen zyrtare të klubit.
Liria në pjesën vjeshtore të stinorit në Ligën e Parë A ka mbledhur 17 pikë nga 14 ndeshje, duke qenë 9 pikë larg kryesuesve, Dukagjini e Malisheva.