VENDOSIN KARTONAT
A do të kalkulojnë Anglia e Belgjika?
28 June, 2018 @11:58
Rast unik në Rusia 2018 deri tash. Anglia dhe Belgjika janë duke ndarë vendin e parë dhe të dytë në Grupin G dhe i kanë të gjitha statistikat që llogariten për kualifikim tutje, të njejta.
Të dyja kanë nga dy fitore dhe të dyja kanë goldallim 6+ dhe atë me numër të njejtë të golave të shënuara dhe të pranuara, 8-2.
Edhe ekipi i Gareth Southgate, edhe ai i Roberto Martinez - kanë siguruar kualifikimin në të tetën e finales dhe sonte prej orës 20:00 ndeshen mes veti në ndeshjen që do të përcaktojë vendin e parë dhe të dytë të Grupit G.
Por, në anën tjetër, kundërshtarët potencialë të Anglisë dhe Belgjikës do të kuptohen më heret. Grupi H luan prej orës 16:00 dhe aty do të kuptohet kush do të përfundojë i pari dhe i dyti në grup. Takohen Senegali-Kolumbia [duel direkt për kualifikim] dhe Japonia - Polonia [Polonia nuk ka gjasa të shkojë tutje].
Rreth orës 18:00 do të përcaktohet se cila prej skuadrave të Grupit H do të shkojë tutje dhe cila do të jetë e para dhe e dyta [Japonia, Senegali ose Kolumbia].
Anglia dhe Belgjika nëse barazojnë sonte, vendi i parë dhe i dytë do të përcaktohet nga numri i kartonëve të kuq, pastaj të verdhë - që e bën ekipin më fair-play të renditur më lartë në tabelë [pra ekipi që ka më pak kartona].
Nga ndeshja me Panamanë, Belgjika i ka tre kartona të verdhë, ndërsa me Tunizinë nuk ka. Pra në total, Belgjika i ka tre kartonë të verdhë.
Anglia, në anën tjetër, ka një karton të verdhë nga ndeshja me Tunizinë dhe një tjetër në përballje me Panamanë - që për momentin i bën anglezët favoritë për vend të parë, nëse ndeshja e sontme kryhet baraz dhe numri i kartonëve mbetet i njejtë.