DINAMO

REUTERS
Ademi me gol në fitore
17 July, 2013 @8:45
Dinamo e Zagrebit është zgjuar në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj kundërshtarit nga Luksemburgu, Fola Esch, për të shënuar fitore të thellë në ndeshjen e parë si mysafir 5-0.
Shqiptari që luan edhe për përfaqësuesen kroate, Arijan Ademi, ka shënuar golin e katërt të skuadrës në minutën e 75-të.
Sulmuesi kosovar i Dinamos, Fatos Beqiraj nuk është paraqitur fare në ndeshje pasi që një lëndim të nyjes. Dinamo me këtë fitore ka siguruar kualifikimin në xhiron tjetër të Ligës së Kampionëve, pasi që skuadrës luksemburgase i duhet më shumë se mrekullia për të përmbysur avantazhin pesëgolësh.
Në ndeshjet tjera, Agim Ibraimi që luan për Mariborin ka qenë për 90 minuta në fushë ndaj kundërshtarit nga Malta, Birkirkara, ku sllovenët kanë barazuar 0-0 dhe tani shpresojnë që në ndeshjen e kthimit të arrijnë kualifikimin. Ibraimi që është shqiptar i Maqedonisë, thjesht është i pazëvendësueshëm në skuadrën e tij.
Ndërsa sot me fillim prej orës 18:00 kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu, luan ndeshjen e parë në Azerbejxhan, ndaj Neftçit.