KOLUMNE
Afati i janarit në Ligue 1
Shkruan: LUAN MORINA
18 January, 2018 @8:15
Ndarje të treshes në krye nuk kemi këtë sezon në Ligue 1. Edhe nuk e prisja as në Afatin e Tetorit në Ligue 1. Por, është PSG në krye, dhe tri ekipe tjera që luftojnë për dy pozita që dërgojnë në Ligën e Kampionëve. Kjo është ndër të vetmet arsye për të përcjell këtë ligë. Si dhe talentet e shumta që kanë mbledhur Monaco e Lyon.
Talentë kanë edhe PSG të cilët po gjejnë rezultate të mira me Lo Celson, Kimpemben e Mbappen. Neymar është duke vepruar ‘si në bahçe të babës’ me mungesa kurdo që ka qejf. Për të njëjtat arsye edhe Ronaldinho kishte lënë Barcelonën. Veçse ky kishte dështuar me të madhe. Cavani tash e dy sezone po kënaqet i vetmuar në sulm, Verratti e Rabiot po formësohen edhe më mirë në dy mesfushorë ndër më të talentuarit në Evropë. PSG syrin do ta ketë tek Liga e Kampionëve, ku ose do të mposhtin Realin ose do të blejnë Bale apo Ronaldon në verë!
Monaco është duke bërë më mirë se që prisja. Jardim di të zhvilloj talentët dhe të bëj ekipe të mira, por i nevojitet kohë. Kohë mund të ketë me eliminimin nga Evropa që mund të shfrytëzohet si përparësi ndaj Lyonit sidomos. Këta të fundit vitin e kaluar kanë pasur një sezon të shkëlqyeshëm në Evropë me ligën veçse të humbur. Sa mund të mbahen mbetet të shihet. Rudi Garcia ka gjetur një skelet të mirë tek Marseille dhe ndryshimet e duhura mund t’i bëjnë konkurrent edhe ndaj PSG-së vitin e ardhshëm.
Nice është këndellur mirë në pjesën e dytë të vjeshtës, derisa Nantes po vazhdon të dëshmoj punën e mirë të Flavio Conçeiacos që po vazhdohet nën timonin e Claudio Ranierit. Montpellier ka nxjerr një rezultat të mirë në fundjavë, por asgjë nuk ka vlerë për këto ekipe nëse një finale kupe nuk përfshin dy nga katër të parat që të aktivizoj pozitën e pestë për një vend në Europa League.
Një vit kanë pritur Bielsan të marr timonin, për ta larguar pa mbushur gjashtë muaj në punë. Lille rrezikojnë me mëritë rënien nga liga. Vetëm forma e dobët e konkurrentëve mund t’i shpëtoj. Amiens nuk është fare mirë, e Metz kanë bërë ndryshime që ndoshta mund tu japin pak shpresë. Zor që do të mjaftoj. Lufta për barazh sezonin e kaluar ka qenë e nxehtë në të dy ligat.
Dy ekipe zhgënjyese këtë vit në Francë janë Bordeaux dhe St. Etienne. Të dyja kanë nisur pjesën e dytë të kampionatit me fitore, por ky sezon mund të shërbej vetëm si rindërtim. Nuk besoj, por s’do të doja as të përjashtoja rrezikimin e tyre për rënie nga liga.