MOYES

Afër shkarkimit
21 April, 2014 @16:29
David Moyes është para shkarkimit nga detyra e tij në Manchester United, shkruan Sky Sports sot. Sipas disa raporteve të pakonfirmuara në mediat angleze, thuhet se familja Glazer, që është pronare e Manchester United ka humbur durimin pas disfatës së djeshme ndaj Evertonit dhe dëshiron që t’ia ndërprejë kontratën skocezit.
Moyes i cili është në prag të përfundimit të stinorit të parë me Manchester Unitedin, ka kaluar një vit tmerrësisht të vështirë dhe është bërë pre e çdo kritike për rezultatet e dobëta të klubit këtë stinor.
Bile, ai ka thyer edhe disa rekorde të këqija të klubit - duke humbur nga disa skuadra të cilat për djajt e kuq kanë qenë ‘lodra’.
Sipas Sky Sports, Manchester United pritet të harxhojë shumë në kohën për transfere, derisa familja Glazer ka bërë gati 150 milionë funte për këtë verë.
Louis Van Gaal, Jurgen Klopp dhe Laurent Blanc janë emrat që janë përfolur si zëvendësues të Moyesit në detyrën e trajnerit të kampionit në fuqi, që e dorëzoi heret titullin këtë stinor dhe po rrezikon paraqitjen në Europë, për herë të parë pas mbi dy dekadave.