CITY - ARSENAL
Aguero kryen detyrën e Cityt, presioni te Liverpooli
3 February, 2019 @19:30
Të drejtuar nga Super Kun Aguero, Manchester City ka arritur ta mposhtë skuadrën e Arsenalit me rezultat 3-1, për ta ngushtuar diferencën me Liverpoolin lider dhe për ta ‘gjuajtur’ presionin te ky i fundit, i cili udhëton nesër në Londër për t’u përballur me West Hamin.
Argjentinasi Aguero sot shënoi hat-trick, hat-tricku i dhjetë për të në Premier League, për t’ia dhuruar fitoren skuadrës së tij, ndërsa kur jemi te tre-golëshat, vetëm Alan Shearer (11) ka shënuar më shumë ‘hat-tricke’ sesa Aguero në Premier League.
Sa i përket statistikave personale, me dy asistimet e sotme, Raheem Sterling, 24 vjeçar, arriti ta kalojë numrin 100 sa i përket golave dhe asistimeve (së bashku) personale në Premier League. Sterling tashmë ka 59 gola dhe 42 asistime në këtë garë, statistikë impresionuese.
Gjithashtu, fitorja e sotme bën që Guardiola të mbetet edhe më tutje pa humbje në përballjet ndaj Unai Emeryt. Në 12 përballjet mes tyre, Guardiola ka triumfuar 8 herë, derisa 4 ndeshje kanë përfunduar me barazim.
Me Cityn që ngushton diferencën ndaj Liverpoolit lider, Arsenali në anën tjetër bën një hap prapa në garën për vendin e katërt, duke rënë në vendin e gjashtë.