PAS NDESHJES
Aliti: Krenar për djelmoshat
12 January, 2020 @20:20
Qendërmbrojtësi i Kosovës, Fidan Aliti, që është i rregullt në përfaqësuese dhe sot ka pasur edhe detyrën e kapitenit të ekipit në përballjen miqësore ndaj Suedisë, pas ndeshjes ka thënë se futbollistët e ri kanë treguar veten.
“Jam krenar çdo herë që e përfaqësoj Kosovën. Sot trajneri ma dha detyrën e kapitenit dhe u përpoqa ta ndihmoj ekipin me eksperiencën time. Mendoj se çdo njeri prej nesh e ka treguar veten dhe kemi luajtur ashtu siç ka kërkuar trajneri. Jam shumë krenar për këta djem të ri, të cilëve iu dha rasti për të luajtur dhe i treguan vlerat e tyre,” ka thënë Aliti.
Kosova u mposht nga Suedia 1-0 në Doha të Katarit, në ndeshjen e parë të vitit 2020. Selektori Bernard Challandes kësaj radhe ka zgjedhur një ekip të përzier me shumë lojtarë nga Superliga e Kosovës.