1/2: ATLETICO - ARSENAL
Atletico mohon ‘fundin e bukur’ të Wengerit
3 May, 2018 @23:07
Pas barazimit 1-1 në Londër, Atletico i Madridit ka shënuar fitore 1-0 në shtëpi ndaj Arsenalit, për ta arritur kështu finalen e Europa Leagues.
Kujtojmë që ndeshja e parë në Londër kaloi me Arsenalin tërësisht dominant, mirëpo shpërdorimet e shumta në atë ndeshje i kushtuan edhe sonte, me Atleticon që si gjithnjë u tregua cinik në sulm dhe fantastik në mbrojtje, për ta arritur rezultatin që e dëshironte dhe që e ka zakon viteve të fundit.
Golashënues i madrilenëve sonte ishte Diego Costa, njeriu që i kishte shkaktuar probleme Arsenalit edhe në kohën e tij te Chelsea, ndërsa gola të tjerë nuk pamë, përkundër disa rasteve në të dy cepat e fushës.
Ky eliminim ia mohon Wengerit përfundimin e karrierës te Arsenali me një trofe evropian, pasi që siç dihet, Wenger me Arsenalin ka arritur dy finale evropiane, ndaj Galatasarayt në Kupën UEFA, viti 2000 dhe ndaj Barcelonës në Champions League, viti 2006, por në të dyja rastet ka pësuar humbje.
Startues për londinezët sonte ishin edhe Shkodran Mustafi e Granit Xhaka, por nga paraqitja e tyre nuk ka ndonjë gjë për t’u veçuar.
Në finalen e Europa Leagues, e cila mbahet më 16 maj në Lyon të Francës, Atletico e pret fituesin e duelit mes Salzburgut të Valon Berishës dhe Marseillet, duel në të cilin momentalisht po luhen vazhdimet, pasi që të dyja ndeshjet përfunduan me rezultatin 2-0 pas kohës së rregullt.