FERONIKELI - BALLKANI

Foto: KFFeronikeli/fb/arkiv
Autogoli shpëton liderin
4 April, 2019 @15:59
Përkundër dominimit të madh në ndeshje dhe rasteve të shumta, lideri i Superligës Feronikeli është dashur të ketë fat për të fituar ndeshjen e sotme ndaj Ballkanit që po lufton për mbijetesë.
Pas krosimit të Astrit Thaqit ka qenë mbrojtësi i Ballkanit Dardan Jashari, që në tentim për të larguar topin e ka futur gabimisht në rrjetë të vetë dhe atë në minutën e fundit të ndeshjes (90’).
Kjo bëri që Rexhep Rexhepi të festojë, e Feronikeli të kap tre pikë të reja në rrugëtimin drejt titullit kampion, por edhe ruajtjen e distancës ndaj përcjellësve serioz si Llapi e Prishtina.
Fitorja për Feronikelin ka qenë jetike, pasi që xhiron e shkuar barazuan me Flamurtarin dhe një tjetër barazim veçse do të fuste në rrezik gjithçka për ekipin drenicak.
Në anën tjetër Ballkanit fati ia ktheu shpinën në fund të ndeshjes. Djelmoshat e Sami Sermaxhajt kanë pasur dy raste të mira në pjesë të parë. Së pari tentoi Aldin Adzovic, ndërsa më vonë dhanë një gol në pjesë të parë me Jetmir Topallin, por kjo u anulua nga referi i ndeshjes për shkak të pozitës jashtë loje.
Suharekasit në xhiron e radhës luajnë ndaj rivalit direkt për rënie, Flamurtarit, ndërsa lideri i shkon Lirisë në Prizren.