ZVICËR
Baseli senzacional
12 April, 2013 @0:35
Tottenham i Andres Villas Boas është eliminuar nga Baseli zviceran sonte pas ekzekutimit të penalltive. Ndeshja tejet interesante që përfundoi me rezultat identik si javën e kaluar në Londër, u desht që të shkojë në vazhdime e pastaj edhe në penallti, ku më të mirë u treguan zviceranët.
Tottenham kaloi në epërsi nëpërmjet amerikanit, Clinton Dempsey (23’), por zviceranët arritën të barazojnë shpejtë nëpërmjet egjiptianit, Mohamed Salah (27’). Në pjesën e dytë Basel kaloi në epërsi nëpërmjet golit të shënuar nga austriaku, Aleksandar Dragovic (49’), por amerikani Dempsey çoi ndeshjen në vazhdime me golin e tij të dytë sonte (82’).
Pasi që nuk kishte gola në minutat shtesë, u desht të ekzekutohen penalltitë ku zviceranët ishin dukshëm më të mirë duke shënuar katër herë, kundër një goli të anglezëve. Tom Huddlestone dhe Emmanuel Adebayor dështuan nga pika e bardhë, derisa golin e vetëm për londinezët e shënoi islandezi, Gylfi Sigurdsson.
Tottenham edhe njëherë vërtetoi se pa super yllin e tyre, Gareth Bale, nuk janë dominant dhe humbën rastin që të kalojnë në gjysmëfinale të Europa League.
EUROPA LEAGUE, SONTE:
Basel - Tottenham Hotspurs | 2-2 (4-1, pas penalltive) | Basel kualifikohet |