TË PAHARRUESHMET
Befasitë Evropiane - Rumania 2000
Shkruan: Luan MORINA
30 May, 2016 @12:51
Deri në edicionit e vitit 1992, përfshirë këtë edicion, kampionati evropian ka pasur vetëm nga tetë kombëtare. Rënia e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë krijoi mbi 15 shtete të reja në kontinentin e vjetër që shtyri deri në zgjerimin e kësaj gare. Deri atëherë, befasitë në kampionate evropiane pothuajse nuk kanë ekzistuar. Kualifikimi i Irlandës më 1988, Rumanisë katër vite më parë, Greqisë më 1980 mund të veçohen si befasitë më të mëdha, të cilat kanë përfunduar me një paraqitje mesatare. Më parë, titullin e Çekosllovakisë në edicionet të ngjashme me Final-Four të këtyre ditëve, mund ta konsiderojmë si ngjarje më të papritur të kampionateve evropiane. Befasitë nisin në Suedi. Dhe atë falë politikës.
Rumania – 2000
Portugalia tani kishte të pjekur gjeneratën e kampionëve të botës për të rinj. Kualifikimi për në gjysmëfinale nuk do të kishte qenë ndoshta aq befasi sikur të mos ishin në një grup me Gjermaninë dhe Anglinë, ndoshta dy kombëtaret më të mira të katër viteve më parë. Por, të dy fuqitë evropiane, sidomos Gjermani, kishin trajnerët më të këqij në historinë e tri dekadave të fundit së paku. Ndërkohë të përzgjedhurit, sidomos anglezët ishin jashtëzakonisht të mirë. Por, diçka nuk funksionoi, Seaman tek Anglia dhe mbi të gjitha përgatitja psikologjike për të mbajtur rezultatin.
Tek Gjermania kohezioni ekipor dhe teknik. Fotografimi i Seaman ndaj Figos ishte vetëm një ndër të shumtat që kishte pësuar ‘legjendari’ i topçinjëve pas atij të Nayim, Ronaldinhos e shumë të tjerëve. Derisa Beckham kishte qenë i shkëlqyeshëm duke shërbyer Scholes e McManaman, Rui Costa nuk kishte mbetur aspak mbrapa. Me Pintot e Nuno Gomesin para. Fitorja kundër Rumanisë kishte ardhur me zor, në kohën shtesë, derisa gjermanët kishin rënë nga shou personal i Conceicaos. Personalisht nuk kam parë kurrë një Gjermani më të dobët në garë të madhe. Figo, Rui Costa, Joao Pinto, Baia, Nuno Gomes – të gjithë ishin në pankinë. Përfaqësuesja B e Portugalisë po dërrmonte gjermanët! Çfarë kohëra. Në çerekfinale pa shumë probleme ra Turqia, e tani e kishte radhën Franca. Portugezët kishin nisur mirë, por Zidane pas Henry dhe Anelkas ishte vështirë të mbahej. Dhe ishte goli i artë që do të shembte edhe Italinë më pas në finale pas Portugalisë.
Megjithëkëtë, Portugalia nuk është befasia e këtij edicioni. Nuk është as Turqia të cilën mposhtën në çerekfinale.
Turqit po vinin me orkestrën e Fatih Terimit – perandorit, sulltanit të futbollit turk që kishte nxjerr një gjeneratë kampionësh. Galatasaray kishte fituar Kupën e UEFA-s, dhe pas një muaji do të fitonte edhe SuperKupën e Evropës duke mposhtur Realin e Madridit. Një penallti e butë u kishte marr pikët kundër Italisë në ndeshjen e parë të kombëtares së Denizlit. Kundër Suedisë kishin vendosur të luanin me dy mbrojtës më shumë duke angazhuar Hakan Unsalin në vend të Abdullahit, për të fituar pikën e parë në kampionat. Nuk mund të përcaktohem nëse Arif Erdem apo Hasan Sas ka qenë partner më i mirë i Hakan Sukur në sulm. Në Euro2000, Arif ka qenë kryesori për ta lënë Hasanin dy vite më vonë në Azi të merrte rolin e asistentit. Hakan Sukur kishte shënuar dy gola nga një sulmues tipik si ai për të dërguar turqit në çerekfinale. E aty, Portugalia thjesht ishte më e mirë duke detyruar turqit të shtyjnë për disa vite befasinë e tyre në Evropian.
Pse rumunët?
Nga këto tri kombëtare, Rumania mbetet befasia e këtij Evropiani pasi që mbyllej cikli i një gjenerate që kishte arritur deri në çerekfinale të botërorit. Hagi, Popescu, Petrescu, Stelea, Munteanu, Belodedici, Lupescu tani kishin kaluar zenitin. Fitorja ndaj Anglisë që kishte ardhur pas ndërhyrjes goxha banale të Phil Neville në fund të ndeshjes, kishte kaluar rumunët në çerekfinale. Iu kishin bërë ballë me sukses gjermanëve, derisa portugezët përsëri ishin më të mirë.
Hagi i cili ishte kthyer nga pensionimi për të dërguar rumunët në Evropian, kishte lënë shokët në vështirësi në dy ndeshje. Pasi ishte ndëshkuar me të verdhë në dy ndeshjet e para ai kishte munguar kundër Anglisë. Kundër italianëve më mirë të mos ishte kthyer, pasi vetëm pas një ore lojë kishte marr dy kartonë të verdhë për të shuar shpresat që tashmë ishin goxha të venitura pas pjesës së parë të ndeshjes kur kishin shënuar Inzaghi dhe Totti.
Chivu, Mutu, e Ilie do të duhej të merrnin mbi supe Rumaninë pas kësaj ngjarjeje, por kjo nuk ndodhi. Rumunët kishin shpresuar shumë, ndoshta për një rreth më lart për të përmbyllur këtë cikël të artë lojtarësh. Kishin angazhuar edhe trajnerin e tyre më të mirë, Emerich Jenei, por çerekfinalja që mbetet maksimumi në kampionate evropiane kishte qenë kufiri. Ndoshta po të mos kishte një Angli pa udhëheqës teknik të dobishëm, dhe Gjermania më e dobët në gara të mëdha, grupet do të kishin qenë finalja e tyre.
Falë evropianit pasues, Rumania mbetet befasia e këtij kampionati.