TË PAHARRUESHMET
Befasitë evropiane - Turqia 2008
Shkruan: Luan MORINA
1 June, 2016 @23:58
Deri në edicionit e vitit 1992, përfshirë këtë edicion, kampionati evropian ka pasur vetëm nga tetë kombëtare. Rënia e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë krijoi mbi 15 shtete të reja në kontinentin e vjetër që shtyri deri në zgjerimin e kësaj gare. Deri atëherë, befasitë në kampionate evropiane pothuajse nuk kanë ekzistuar. Kualifikimi i Irlandës më 1988, Rumanisë katër vite më parë, Greqisë më 1980 mund të veçohen si befasitë më të mëdha, të cilat kanë përfunduar me një paraqitje mesatare. Më parë, titullin e Çekosllovakisë në edicionet të ngjashme me Final-Four të këtyre ditëve, mund ta konsiderojmë si ngjarje më të papritur të kampionateve evropiane. Befasitë nisin në Suedi. Dhe atë falë politikës.
TURQIA - 2008
Ndoshta arsyeja pse Marco Van Basten nuk dëshiron të jetë trajner më është çerekfinalja e këtij edicioni kundër Rusisë. Ka qenë një ndeshje e tillë kur thjesht asgjë nuk funksiononte. Ishte një Holandë në pjekje dhe jo aq me përvojë. Jo aq përvojë sa Rusia e cila vinte në këtë Evropian me koeficientin më të dobët. Gola turpërues kishin pranuar holandezët në vazhdime. Rusët kishin arritur këtu duke mposhtur me mëritë Greqinë që iu pa fytyra e vërtetë, dhe Suedinë e cila nuk meritonte më shumë pas skandalit të katër viteve më parë.
Spanjollët i kishin dërrmuar në grupe, e do e bënin përsëri në gjysmëfinale. Aragones nuk kishte ekip më të mirë se Saez para katër viteve ama solli titullin për të nisur një epokë dominimi për iberikët.
Dramat turke
Çdo ndeshje e Turqisë në këtë kampionat pas ndeshjes së parë ka qenë për histori. Fatih Terim po sjellte kombëtaren me koeficientin të dytë më të dobët me vetëm Emren dhe Rustun si veteranë. Portugezët i kishin mposhtur ‘pajqtë’ 2-0. Ndërkohë zviceranët po udhëhiqnin pas pjesës së parë me golin e Hakan Yakinit. Me një këmbë jashtë kampionatit, Mehmet Topal dhe Semih Senturk angazhohen në pushim. Këto dy kombëtare ishin në marrëdhënie të tensionuara pas ngjarjeve të tri viteve më parë. Semih kishte dhënë frytin 12 minuta pas angazhimit, derisa Arda Turan kishte kurorëzuar shfaqjen e tij në kohën shtesë.
Sigurimi i çerekfinales
Kundër Çekisë ishte ndeshja më e veçantë. Rezultati i barabartë do të detyronte penalltitë në fazën e grupeve për herë të parë. Çerek ore para fundit kualifikimi çek dukej punë e kryer. Arda Turan barazon pas një gjuajtje që s’do të duhej të fuste në telashe portierin më të mirë të asaj kohe, Petr Cech. Por, 12 minuta më vonë, Cech do të bënte gabimin më trashanik në karrierën e tij. Harkimet e Hamit Altintop kanë qenë edhe më problematike se gjuajtjet e tij nga jashtë zone. Një harkim i tillë kishte rrëshqitur nga duart e Cech për tu shndërruar në gol nga Nihat. Tre minuta më vonë, Hamit tek Nihat, që ky i fundit të shënoj një gol të shkëlqyeshëm për çerekfinale.
Sekondat vendimtare
E çerekfinalja kundër kroatëve ishte edhe më e çmendur. Kroatët vinin me gjeneratën më të mirë që nga e ‘98ta. Kishin mposhtur Gjermaninë, Poloninë, e Austrinë. Kundër turqve s’do të duhej të kishin probleme. Srna dhe Pranjic kanë qenë harkues të shkëlqyeshëm, Rakitic dhe Modric jepnin shkëndijat e para të talentit të tyre kreativ, derisa në sulm ishte Klasnic, Olic, e Petric që po rrjepnin rrjetat e Bundësligës atëbotë.
Rustu njihet për të qenë një portier kikser. Hiq më i mirë nuk ishte as në këtë ndeshje, sidomos në pjesët e para, për të veshur maskën kah fundi i ndeshjes ku nuk lejonte asgjë të rrezikonte portën e tij. Volkan kishte qenë portier i parë, por lëndimi e kishte larguar nga faza finale. Kroatët kishin dominuar ndeshjen për pjesën më të madhe. Vazhdimet kishin barazuar këtë dominim me turqit që sulmonin më shumë. Megjithatë, Klasnic kishte kaluar në epërsi kroatët pas budallallëkut të Rustu që nuk ishte asgjë e jashtëzakonshme nga ai. Por, në aksionin vijues, Rustu asiston në një mënyrë të çuditshme Semih Senturkun i cili barazon rezultatin në çastet finale të ndeshjes. Dëmtimi psikik i këtij goli ishte i tepërt për tu kaluar nga kroatët. Turqit po shkonin në gjysmëfinale me vetëm 15 lojtarë në dispozicion. Të gjithë të tjerët në spital ishin.
Lodhja dhe axhamillëku i mbrojtjes
Edhe pse reduktimet tek ne ishin përmirësuar, pak, në Vjenë në ndeshjen gjysmëfinale të Evropianit dy gola të kësaj gjysmëfinale nuk ishin transmetuar tek një pjesë e madhe e shikuesve anekënd botës. Turqit kishin nisur ndeshjen duke dominuar. Por, axhamillëku në mbrojtje, dhe Rustu bënin që gjermanët të shënonin pothuajse në çdo rast që u jepej. Sabri kishte asistuar për tek Semih për të barazuar rezultatin në 2-2 pas kalimit në epërsi të turqve nga Boral. Lodhja, mungesa e ndërrimeve për shkak të lojtarëve që nuk ishin në dispozicion bëri që Lahm të mposhte turqit që luanin me përfaqësuesen rezervë.
Mungesa e fatit
Me pak fat në shëndet, turqit do të kishin kaluar gjermanët që kurrë nuk kanë shfaqur potencialin e plotë nën menaxhimin e Loew, pa marr parasysh titullin e fundit. Ballack, Klose, Lahm, Podolski, Schweini, Metesacker, e Metzelder të vuanin për të mposhtur kombëtaren që mëzi kishte hedhur në fushë 11 veta është dështim. Dështimi u vërejt në finale kundër spanjollëve, ku edhe një herë u vërejt se gjermanët nuk din të menaxhojnë lojën kundër kombëtareve që preferojnë mbrojtjen para sulmit si Italia e Spanja.