NEWCASTLE

REUTERS
Ben Arfa, për fitoren e parë
31 August, 2013 @17:37
Një pasdite e zbehtë me gola kaloi përsëri në Premier League të Anglisë sot. Pas fitores së Manchester Cityt më parë, në katër ndeshjet që ia nisën nga ora 16:00, u shënuan tre gola, prej të cilave dy në 10 minutëshin e fundit të takimeve.
Njëra prej më të rëndësishmeve ka qenë fitorja e Newcastle United ndaj Fulham. Laraskat kanë arritur fitoren e parë të këtij stinori duke i mposhtur londinezët, për të cilët sot nuk u paraqit Pajtim Kasami, 1-0 me anë të golit të Hatem Ben Arfës në minutën e 86-të të takimit.
Me rëndësi është edhe paraqitja e parë e mesfushorit të shumëkërkuar të Newcastle United, Yohan Cabaye, i cili u fut në lojë nga minuta e 65-të e takimit. Ai ka regjistruar paraqitjen e parë për ekipin e tij këtë stinor, pasi që deri dje Arsenali e kërkonte shumë, por vetëm tre ditë pa përfunduar afati kalimtar, ai mbetet ende në Newcastle.
Everton ka zhgënjyer përsëri. Ata nuk kanë arritur të regjistrojnë ende fitoren e parë të tyre. Skuadra e kaltër nga Liverpool, përkundër dominimit ndaj Cardiff Cityt, nuk ka arritur të shënojë dhe me rezultat 0-0, ka regjistruar barazimin e tretë në tre xhirot e para të kampionatit.
Norwich City ka mposhtur Southamptonin 1-0, me golin e vetëm të shënuar nga Nathan Redmond, derisa Stoke City ka befasuar West Ham Unitedin duke i mposhtur në mes të Londrës 0-1, me golin e ish futbollistit të Arsenalit, Jermaine Pennant në minutën e 82-të të takimit.