LUZ

uefa
Benfica fiton, Juve kërcënon
24 April, 2014 @23:27
Zëvendësuesi brazilian i Benficas, Lima, ka qenë njeriu vendimtar që i ka dhënë shpresat e fundit ekipit të udhëhequr nga Jorge Jesus për të arritur finalen e dytë me radhë të Europa League.
Benfica, pas golit të bukur të Limas, ka arritur që të shënojë fitore në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Europa League ndaj Juventusit, që konsiderohet favorit i kësaj gare.
Benfica në fakt erdhi shumë shpejtë në epërsi pas golit me kokë të Ezequiel Garay në minutën e dytë të ndeshjes, kur përcolli në rrjetë topin nga korneri, që nuk arriti të ndalet plotësisht nga Gianluigi Buffon.
Juventus përkundër se morri iniciativën pas golit të pranuar, është dashur të kalojë bajagi kohë për të tejkaluar dyshen fenomenale të qendrës së mbrojtjes së portugezëve, Luizao dhe Garay, kur Carlos Tevez shënoi në minutën e 73-të të takimit për të barazuar shifrat në 1-1.
Mirëpo, fjalën e fundit në ndeshje e tha Lima i cili shënoi një gol të bukur për t’ia dhënë fitoren ekipit të tij 2-1, para ndeshjes së kthimit në Torino, ku edhe do të luhet finalja e kësaj gare.
Në fund mund të thuhet që Juventus ka arritur të nxjerrë rezultatin më të mirë të mundshëm nga ferri i stadiumit Luz të Lisbonës para ndeshjes së kthimit, derisa Bianconerët kërkojnë finalen e parë europiane në 17 vitet e fundit.