LLAPI - GJILANI
Bërbatovci shpëtimtar i Llapit, Gjilani përsëri dështon në fund
4 March, 2017 @14:48
Skuadra e Llapit ka vazhduar ta mbajë hapin me pjesën e epërme të Superligës, duke shënuar një fitore të vështirë dhe shumë të rëndësishme sot në Podujevë, në përballje me Gjilanin.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, në mungesë të sulmuesit kryesor për shkak të lëndimit, Berat Hysenit, në sulm zgjedhi të riun Mirlind Daku, i cili megjithëse kishte disa raste shënimi, nuk arriti ta mposht portierin e disponuar të Gjilanit, Donat Kaqiu.
Mysafirët në pjesën e parë rrezikuan me anë të Egzon Shabanit dhe Leotrim Bekteshit, por porta e Ilir Avdylit mbeti i paprekur. I pari tentoi me goditje të fortë nga distanca, të cilën e ndali Avdyli, ndërsa i dyti nga një pozitë mjaft e volitshme në afërsi, nuk u tregua i saktë në goditje me kokë.
Llapi e filloi pjesën e dytë me vrull të madh, ndërsa ky fakt për pak sa nuk dha rezultat, kur Hamdi Namani shënoi në minutën 47’, mirëpo gjyqtari i ndeshjes e anuloi atë për shkak të pozitës jashtë loje.
Në vijim, të dyja skuadrat vazhduan të rrezikojnë, ndërsa goli erdhi vetëm në minutën 86’ nga zëvendësuesi Florim Bërbatovci, i cili e përcaktoi rezultatin final të këtij takimi.
Pas kësaj fitoreje, Llapi tani ka 39 pikë, aq sa ka edhe Prishtina në pozitën e dytë, derisa Gjilani mbetet me 26 pikë dhe e regjistroi humbjen e shtatë këtë stinor.
Javën e ardhshme Llapi është mysafir i Feronikelit, kurse Gjilani e pret në shtëpi Lirinë e Prizrenit.