FITORE E MADHE

Foto: KF Besa/Facebook
Besa, një pikë larg kreut
4 May, 2015 @15:50
Besa e drejtuar nga Arbnor Morina ka kapur super serinë e fitoreve, duke e shënuar sot të shtatën me radhë në Superligë.
Pejanët kanë mposhtur Trepçën e fundosur me rezultat 0-2 në Mitrovicë, duke shënuar dy herë në pjesë të dytë të ndeshjes për të shënuar fitoren e radhës.
Ka qenë Mensur Duraku që ka hapur serinë e golave në Mitrovicë, pasi që shënoi pas një tollovie në zonë, duke futur topin në rrjetë të Trepçës.
Më vonë, Besa mbeti me 10 lojtarë në fushë, pasi që Kastriot Rexha u përjashtua për shkak të dy kartonëve të verdhë.
Sidoqoftë, kjo nuk pengoi ekipin pejan që përmes Qëndrim Dautajt të shkëlqyeshëm të shënojë edhe golin e dytë dhe të sigurojë fitoren e rëndësishme për skuadrën, pas asistimit të Cacajt.
Trepça sot luajti me trajnerin Fidaim Haxhiu, pas dorëheqjes së Ajet Shoshollit, por kjo nuk solli risi në rezultatet e skuadrës që gjithnjë e më shumë po merr statusin e ekipit të Ligës së Parë.