KOLUMNE

Foto: FFK
Betejat e dhimbshme
Shkruan: LUAN MORINA
15 October, 2018 @14:46
Në disa beteja mposhtesh, e disa tjera i humb. Këto të fundit janë më të dhimbshmet, më të neveritshmet! E tillë ishte ajo e të dielës kundër Ishujve Faroe!
Mund ta fajësojmë golin e hershëm, por mendoj se edhe ashtu kishim një qasje më të lehtë ndaj Ishujve Faro në këtë ndeshje. Ndoshta për faktin që i kishim mposhtur muajin e kaluar, ndoshta inspiruar nga fitorja me Maltën. Por, një qasje e tillë në një lojë të vlefshme është e papranueshme!
ZENELI?
Lodhja, si nga loja si nga udhëtimi, mund të jetë e qartë, por përsëri nuk është arsyetim. Arsyetim për humbjen e dy pikëve të dielën nuk ka! Faktorë pse humbëm, janë të shumtë, dhe mund t’i rendojmë duke nisur nga pozita e trajnerit.
Nuk e kuptoj vendimin e Challandes për të mos nisur ndeshjen me Zenelin. Tashti, janë dy lider në fushë për Kosovën kryesisht. I pari është Hekuran Kryeziu, i dyti është Arbër Zeneli. Derisa Kryeziu merr topat nga mbrojtja dhe distribuon drejt vijës së gjysmë-sulmit, aty është Zeneli i cili lëvizën më së shumti nga katërshja ofensive drejt mesfushës në kërkim të topit. Kryeziu mungoi për shkak të kartonëve (ai kundër Maltës ishte i panevojshëm), por mungesa e Zenelit duket e paarsyeshme!
RASHICA E ZHEGROVA
Sigurisht që Rashica shënoi një gol të bukur, e Zhegrova pati driblime, por të dy ishin botë në vete! Dhe futbolli nuk është sport individual! Edonin mund ta arsyetojmë se është ende i ri, por Rashica në nëntë ndeshje gjatë kualifikimeve për Rusia 2018 nuk është ‘lodhur’ të vinte drejt mesfushës për të marrë topa!
Pastaj kishim Valonin i cili nuk është vetja nga pas lëndimi. Ndoshta edhe nuk po përshtatet me filozofinë e Challandes, por cilësia është aty. Nevojitet vetëm më shumë motivim, por shpresoj që çfarë nevojitet në fakt është përgatitja fizike pas lëndimit e motivimi as nuk vihet në pyetje! Njëjtë edhe për Halimin mund të themi, i cili kishte njërën nga ndeshjet më të dobëta për Kosovën deri tani. Shala ishte më mirë se kundër Azerbajxhanit, por larg aftësisë për të qenë lider në mesfushë, e nga Voca është herët të pritet kjo gjë. Pa Kryeziun jemi pa kokë, fatkeqësisht!
MBROJTJA
Mbrojtja ishte e ç’orientuar për shkak të mungesës së Kolollit. Nuk do të fajësoja individualisht asnjërin, as Rrahmanin për pasimin e gabuar që rezultoi me gol. Goli do të mund të vinte edhe në shumë aksione tjera të cilat fatkeqësisht përfunduan keq për kundërshtarët. Shumë hapësirë e lejuar në zonë, kanale të hapura gjatë kundërsulmeve, mungesë orientimi në fushë! Mbrojtja të kujtonte fillimet e kësaj kombëtareje!
MEGJITHATË, KEMI PËRPARUAR
Lojëra të dobëta do të ketë, oscilime në lojë, ditë të këqija! Të dielën ishte një e tillë. Dhe nga këto ditë mund të mësojmë dhe përmirësohemi edhe më shumë. Vetëm se duhet të pranojmë gabimet, dobësitë, dhe të punojmë në eliminimin e tyre. Disa prej këtyre u mundova t’i përmend këtu. Ka edhe shumë tjera, por as nuk mund të debatohet që nuk jemi duke përparuar si kombëtare pas çdo ndeshjeje. Kjo është një gjeneratë që do të luaj edhe për kualifikimet në Kupën e Botës në vitin 2026! Pak nga pak, hap pas hapi, do të kthehemi në njërën ndër ekipet më të mira në Ballkan! Dhe në këtë rrugë do të ketë edhe ndeshje tjera si kjo e të dielës. Vetëm le të jenë sa më pak!