KOSOVA-HAITI
Biletat shiten nga e shtunja
25 February, 2014 @15:40
Biletat për adhuruesit e futbollit që dëshirojnë të jenë të pranishëm në ndeshjen Kosova-Haiti do të dalin në shitje të shtunën, ka bërë të ditur sot në konferencën për shtyp drejtuesi i kompanisë organizuese, Kushtrim Demiri i KD Events.
Nga ora 12:00 do të nis shitja e biletave këtë të shtunë, deri në ora 16:00. Në Prishtinë do të jenë dy pika të shitjes në sheshin Zahir Pajaziti dhe Newborn, derisa pika të shitjes do të ketë edhe në qytete tjera, si Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan dhe qendra tjera.
Biletat do të shiten me çmime 5, 7 dhe 10 euro, varësisht nga pjesa e stadiumit, derisa Perëndimi është më i shtrenjti e Veriu dhe Jugu më të lirët.
Sipas Demirit, stadiumi ka 17 mijë e 500 ulëse të instaluara, derisa numri i biletave që do të dalin në shitje do të jetë më i vogël se kaq për shkak të mysafirëve në ndeshje, ku pritet të zbatohet edhe protokolli shtetëror si dhe të vinë njësitet speciale të Policisë.