OSIJEK
Bjelica i kënaqur me Dakun, i vazhdohet kontrata
9 August, 2021 @15:33
Skuadra e Osijekut ka vazhduar kontratën me futbollistin e përfaqësueses së Kosovës, Mirlind Daku.
Daku, që u bë golashënuesi më i mirë i stinorit të kaluar në Superligë duke qenë si huazim te Ballkani i Suharekës, ka vazhduar kontratën me ekipin kroat edhe për dy vite tjera.
“Reprezentuesi i Kosovës, sulmues, ka vazhduar bashkëpunimin me bardhekaltërit deri në verë të vitit 2024,” ka shkruar njoftimi në faqen zyrtare të klubit kroat.
Ndërsa Daku, për web faqen e klubit ka thënë:
“Jam shumë i kënaqur që kam vazhduar kontratën, ndërsa tash më mbetet të stërvitem sa më mirë dhe të pres rastin, duke shpresuar që ta shfrytëzoj atë.”
E trajneri Nenad Bjelica ka thënë se është i kënaqur me atë që po tregon kosovari.
“Na intrigoi me 30 golat e tij në Kosovë në sezonin e kaluar, por edhe me punën në stërvitje. Ky është një sulmues interesant. Natyrisht që ai ka potencial, por çka do të tregoj tash e tutje në fushë, na mbetet të shohim. Ai është sulmuesi i dytë i kombëtares kosovare dhe këtë duhet respektuar. Ai ka predispozita që të ngris çmimin e tij edhe më shumë, që do të ishte profitabile edhe për klubin tonë,” ka thënë Bjelica në fund.