TË DREJTAT TELEVIZIVE
Superliga, Liga e Parë A e B dhe Kupa e Kosovës, për 600 mijë euro
9 August, 2021 @14:38
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) sot edhe zyrtarisht ka konfirmuar shitjen e të drejtave televizive për kompaninë ArtMotion & KlanKosova për sezonin 2021/22.
Publikuar me një foto të kreut të FFK-së, Agim Ademi dhe zyrtarit të lartë të mediumit në fjalë, Alaudin Hamiti, duke shtypur vulat në kontratat e nënshkruara, FFK ka shkruar se vlera e kontratës është 600 mijë euro.
FFK ka bërë të ditur gjithashtu se 450 mijë euro kanë kushtuar të drejtat për ndeshjet e Superligës, ndërsa 150 mijë euro për ato të Ligave të Para, A dhe B. Ndërsa i është dhënë edhe e drejta e transmetimit të ndeshjeve të Kupës së Kosovës!
Shumat, sipas ligave, i ndahen proporcionalisht të gjitha skuadrave pjesëmarrëse në këto liga.
Përndryshe deri tash edhe Kupa e Kosovës ka pasur shpërblim të vetin, derisa emërohej Digitalb Kupa e Kosovës, por tash e tutje nuk është bërë e ditur se a do të përfitojë fituesi e ndoshta edhe finalisti i Kupës së Kosovës, duke ditur që është gara më masive e futbollit.