SAN SIRO
Buffon madhështor, Juve fiton derbin
2 March, 2014 @22:37
Dy gola nga dy sulmuesit e ardhur këtë stinor, Fernando Llorente dhe Carlos Tevez, kanë qenë të mjaftueshëm për Juventusin për të shënuar fitore në derbin e madh italian ndaj Milanit në San Siro sonte.
Milan në fakt ka qenë larg më i mirë se Juventusi në pjesë të parë duke shpërdorur disa raste ideale, ku i madhi Gianluigi Buffon mbronte gjithçka. E më pas doli thënia e urtë e futbollit, ‘kur nuk shënon, pëson’, dhe Juventus arriti që në saje të një topi të gjatë jo të pritur mirë nga mbrojtja rossonere me 4 kombinime matematikore të shënojë për 0-1.
Edhe në pjesën e dytë më shumë tentoi Milan, por një hapësirë e shfrytëzuar mirë nga Carlos Tevez i cili shutoi një torpedo në drejtim të Christian Abiatit bëri rezultatin 0-2 në të mirë të ekipit kampion të Italisë dhe siguroi përfundimin e qetë të ndeshjes për Antonio Conten.
Mungesa e Arturo Vidalit vërehej qartë te ekipi i Juventusit, por madhështia e veteranit 36 vjeç, Buffon, ka bërë gjithçka të nevojshme për bianconerët që po vazhdojnë me hapa të sigurta rrugën për të marrë edhe titullin e tretë me radhë në Serie A.
Rezultatet dhe tabela aktuale.