FERONIKELI - LIRIA
Bujar Shabani zgjidh nyjën në Drenas
22 October, 2016 @15:43
Bujar Shabani ka shënuar golin e vetëm në ndeshje, për t’i dhuruar tri pikë skuadrës së tij, Feronikelit, në përballje me Lirinë e Prizrenit.
Kampioni aktual i Kosovës ka shënuar fitoren e radhës, duke triumfuar me rezultat minimal, me golin që erdhi vetëm në minutën 75’ kur Shabani shënoi me kokë pas krosimit nga e djathta e Mark Milicajt.
Nikli në fakt kishte raste të mira për të kaluar në epërsi edhe më parë, sidomos me Mentor Zhdrellën në minutën 23’ kur goditja e kokë e tij u ndal nga portieri Valmir Hajrizaj, si dhe në minutën 56’ kur goditja përsëri me kokë e Ardian Limanit u ndal në traversë.
Ndërsa Liria rastin më të mirë e kishte në minutën 62’ me sulmuesin Alban Shillova, i cili u tregua i rrezikshëm në kundërsulm, por jo edhe aq sa për të shënuar.
Me këtë fitore, Feronikeli tani ka 21 pikë dhe vazhdon të mbetet në pozitën e tretë, ndërsa Liria, e cila e pësoi humbjen e gjashtë sivjet, mbetet me 12 pikë pas 10 xhirove të para.