5 PËR FUNDJAVË!
Kalamajtë dhe ‘Zonja’!
Shkruan: Luan MORINA
22 October, 2016 @11:31
1.Hertha – Köln (e shtunë, ora 3e30)
Po më pëlqen strategjia e Herthës. Eliminim sa më i hershëm nga Evropa për të vazhduar garat në ligën kombëtare. Është një strategji që me kalimin e kohës do të ndiqet edhe më shumë nga ekipet gjermane e angleze të cilat më shumë përfitojnë nga kampionati kombëtar se sa Europa League. Nëse asgjë, kursejnë shpenzime financiare dhe fizike.
Hertha është në rrugë për të përsëritur sezonin e kaluar goxha të suksesshëm në ligë. Edhe më mirë ka filluar sezonin Kölni i Mërgim Mavrajt. Me startin më të mirë në dekada, Kölni po befason të gjithë kryesisht falë formës së Modestes dhe vijës defensive. Në anën tjetër, Hertha mund të ketë problem mungesën e Stockerit , i cili është nga pikat kyçe në ekip.
2.Bayern – Monchengladbach (e shtunë, ora 6e30)
Katër përballjet e fundit në ligë, Borussia e Monchengladbachut ka mposhtur dy herë dhe ka barazuar dy herë me Bayernin me një golaverazh 6-2. Është një rivalitet që pa marrë parasysh pozitën në tabelë, nxit një lojë me intensitet më të lartë. Është njëra nga ato pak ndeshje të Bayernit në Bundesligë ku fituesi mund të vihet në pikëpyetje, edhe pse këtë sezon ky zakon paksa ka ndryshuar. Futboll gjerman për qejf, ashtu siç jemi mësuar të shohim gjithmonë.
3.Milan – Juventus (e shtunë, ora 15n9)
Njëra ndër lojërat më të bukura që ka paraqitur Milani sezonin e kaluar ishte ajo në finale të Kupës së Italisë kundër Juventusit. Në letër dhe në fushë, skuadra nga Torino është disa nivele më lart mbi konkurrentët tjerë italianë, përfshirë edhe Milanin.
Që të dyja ekipet kanë mungesa me Antonellin e Montolivon tek Milani, e Chiellinin, Mandzukicin e Ruganin tek Juventusi të paaftë për të luajtur sonte. Njëri nga duelet kryesore në ndeshje është ai ndërmjet Donnarumas dhe Buffonit, që në të njëjtën kohë simbolizon edhe përballjen e të rinjve dhe veteranëve, me moshën e Milanit prej 24.4 vjet dhe atë të Juventusit prej 29.5 vjet.
Kjo ndeshje është larg rivalitetit të baraspeshuar të viteve të kaluara, rivalitet që në raste vendosej nga palë të treta në fushë!
4.Feyenoord – Ajax (e diel, ora 2e30)
Ajaxi është njëra nga ato ekipet që zhvishet sikur kameleon çdo verë. Këtë sezon pas shumë ndryshimeve kanë mbetur vetëm me Lasse Schonen e Danny Klaaseenin në trung të ekipit të mbushur me risi në ekipin e parë. Me moshë mesatare prej 22 viteve, Ajaxi si gjithnjë punon në prodhimin dhe eksportimin e talenteve. Ndërkohë Feyenoordi ka ndërtuar në ekip për t’i kthyer shkëlqimin që i mungon më shumë se një dekadë. Ky duhet të jetë sezon i Feyenoordit dhe me një lojë më të hapur e më të mirë se kundër PSV, mund ta dëshmojnë cilësinë e tyre.
5.Chelsea – Manchester United (e diel, ora 5)
Nëse Liverpool-Manchester United ka qenë e mërzitshme, paramendojeni sa e mërzitshme mund të jetë Chelsea-Manchester United. Sidomos kur kemi Antonio Conten në anën tjetër i cili do të nis ndeshjet me së paku gjashtë lojtarë defensiv. Ndërkohë Mourinho s’do të dëshironte të humbiste në ‘Stamford Bridge’ në kthimin e parë, sidomos jo para ndeshjes kundër Cityt në mesjavë.