MIQËSORE

Foto: FFK
Bullgaria U19 mposht Kosovën U19
Teksti: FFK
20 February, 2018 @22:40
Përfaqësuesja e Kosovës U-19 ka zhvilluar sot ndeshjen e parë miqësore kundër Kombëtares bullgare të të njëjtës grupmoshë, në stadiumin “Urban” në Nessebar, në kuadër të përgatitjeve për kualifikimet e Evropianit në “Elite Round”, që do të zhvillohen prej 21 deri më 27 mars në Portugali.
Pas një loje interesante, fitores iu gëzua Bullgaria U-19, me rezultat 2:1.
Skuadra e drejtuar nga Ramiz Krasniqi e nisi shumë mirë ndeshjen dhe në minutën e 18-të arriti të kalojë në epërsi, me golin e shënuar nga Adrian Behrami. Kosova vazhdoi me lojë të mirë në pjesën e parë, duke shkuar në pushim me epërsinë e një goli.
Megjithatë, në pjesën e dytë ritmi i lojës ra paksa tek përfaqësuesja jonë dhe këtë e shfrytëzuan bullgarët, duke shënuar dy gola, nëpërmjet Stanislav Ivanov (60′) dhe Atanas Kabov (85′) për t’iu gëzuar fitores. Ndeshjen e dytë miqësore këto dy kombëtare do ta luajnë të enjten në orën 11:00.