ÇEKIA - KOSOVA
Çekia kualifikohet, Kosova sytë kah Liga e Kombeve!
14 November, 2019 @22:38
Në një prej ndeshjeve vendimtare në luftë për kualifikim në EURO2020, Kosova sonte u mposht në Plzen me rezultat 2-1 nga përfaqësuesja e Çekisë, për t’i shuar kështu shpresat për kualifikim në EURO2020 përmes grupeve kualifikuese.
Përkundër mungesave të shumta në formacionin bazë, si sonte e ashtu edhe gjatë gjithë kësaj gare, Kosova tregoi paraqitje dinjitoze, duke udhëhequr fillimisht e duke qenë në lojë deri në 20 minutat e fundit, të cilat më pas ishin fatale, me çekët që përmbysën gjithçka dhe e mbyllën takimin me fitore.
Pjesa e parë e ndeshjes iu takoi kryesisht çekëve, me Kosovën që u stabilizua vetëm pas minutës së 30’.
Rastin e parë për gol çekët e patën që në minutën e 7’, me Krmencik që gjuajti me kokë, por për fatin tonë të mirë për mrekulli reagoi Aro Muriç, për ta shpëtuar portën. Ishte Muriç që reagoi mirë edhe në minutat 24’ e 25’, duke i mbrojtur dy goditje radhazi të vendasve, derisa në minutën e 18’ rrezikoi edhe Coufal me të majtën, goditja e të cilit përfundoi mbi portë.
Sa i përket Kosovës, rreziku i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 36’ nga një ndërprerje, nga e cila krosoi Valon Berisha, por krosimi i tij për pak nuk e gjeti kokën e Atdhe Nuhiut dhe portat në pjesën e parë mbetën të paprekura.
TABELAT DHE ORARI I NDESHJEVE - EURO2020
E pjesa e dytë për Kosovën filloi në mënyrë të magjishme. Fillimisht rrezikoi Amir Rrahmani (48’) me një volej goditje, e cila përfundoi jashtë portës, e më pas, pas një krosimi të Florent Hadërgjonajt nga e djathta, ishte Atdhe Nuhiu (50’) ai që për mrekulli shënoi me kokë, për të na ngitur të gjithëve në “qiellin e shtatë”.
Ky gëzim zgjati përreth 20 minuta, derisa u ndërpre nga një goditje e Alex Kral me të djathtën në minutën e 71’, goditje e cila përfundoi në portën e Muriçit dhe rezultati u barazua. E që nga ai moment, çekët vërshuan me sulme.
Disa goditje të rrezikshme e edhe dy shtylla të goditura nga ana e tyre, e nuk vonoi shumë edhe goli i epërsisë. Pas një rrëmuje në zonën e Kosovës, pas topit të goditur me kokë nga Alex Kral, më së miri u gjend Celustka (79’), i cili e shënoi golin e dytë personal dhe të fitores e kualifikimit për Çekinë, e në anën tjetër Kosova në minutat e mbetura u tregua e pafuqishme të bëjë diçka për ta barazuar rezultatin dhe ndeshja u mbyll me fitoren e vendasve, 2-1.
Kështu nga Grupi A në EURO2020 kualifikohen Anglia e Çekia, derisa Kosova, që na bëri krenarë gjatë gjithë kësaj faze kualifikuese, mundësinë për ta arritur Evropianin e ka përmes Play Off-it të Ligës së Kombeve, që fillon në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Ndeshja e fundit e Kosovës në Grupin A luhet të dielën në “Fadil Vokrri” ndaj Anglisë, ndeshje e cila pritet të jetë spektakolare, ani pse pikët nuk na duhen më asnjërës prej përfaqësueseve.