KAPITENI DREJT LIGAVE MË TË FORTA
Celtic dhe Standard, në luftë për kapitenin e Kosovës
10 June, 2019 @12:02
Dy skuadra me traditë dhe renome në vendet e tyre dhe në Evropë, Celtic i Skocisë dhe Standard Liege i Belgjikës, janë duke ndjekur kapitenin e fundit të Kosovës, Amir Rrahmani.
Njoftimin e ka bërë të ditur The Scottish Sun sot, derisa trajneri i ekipit skocez Neil Lennon është orientuar te ekipi i Dinamos së Zagrebit për përforcim dhe qendërmbrojtësi që di edhe të shënojë gola, Amir Rrahmani është synim i tij.
Sidoqoftë, The Scottish Sun ka bërë të ditur se Celtic do të has në rezistencë të fortë, pasi që Standard i Liegit që ditë më parë transferoi Mërgim Vojvodën, veçse i ka bërë ofertë Dinamos për Rrahmanin.
Oferta e Standardit për Dinamon, sipas mediave kroate ka kapur shifrën prej 1.6 milionë eurove, aq sa kishte paguar Dinamoja për transferimin e Rrahmanit nga Spliti.
Rrahmani 25 vjeç që ka nisur karrierën te Drenica në Kosovë, ka qenë pjesë e Partizanit të Tiranës prej ku kaloi në RNK Split dhe në vitin 2015 arriti te ekipi më i madh kroat, Dinamo.